Politika “Masakër zgjedhore”, Basha: Kushdo që mendon se me kaq mbaroi, e ka...

“Masakër zgjedhore”, Basha: Kushdo që mendon se me kaq mbaroi, e ka shumë gabim

Kushdo që mendon se demokratët kanë ndërmend të dorëzohen dhe të pranojnë këtë masakër, e ka shumë gabim

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, tha në një takim me demokratët në Vlorë se opozita nuk ka ndërmend të pranojë rezultatin e zgjedhjeve, që, sipas tij, ishin një “masakër”. “Përballë nuk kishim një kundërshtarë politik, por kishim një regjim i cili nuk bëri thjesht dhe vetëm shkelje ligjore, por një masakër të vërtetë zgjedhore”, tha Basha.

“Ata me banditë, ne me njerëz të ndershëm në krah, ata me shukat e parave të drogës, krimit, bandave, korrupsionit shtetëror, të buxhetit të vjedhur e të shpërdoruar të shtetit si asnjëherë, legalizimeve për votat, hashashit për votat, të ndërtimeve pa leje për votat, deri presionit të kompanive private për votat dhe ne me program dhe me aleancë me qytetarët, në aleancë me çdo grup shoqëror, me kontrata të firmosura për Shqipërinë ndryshe, për Shqipërinë e të nesërmes”.

“Kushdo që mendon se me kaq mbaroi, e ka shumë gabim. Kushdo që mendon se demokratët, anembanë Shqipërisë, kanë ndërmend të dorëzohen dhe të pranojnë këtë masakër, e ka shumë gabim dhe nuk ka vend më të mirë për ta thënë këtu, se në mesin e demokratëve të Vlorës, që nuk janë dorëzuar kurrë, as në ditët më të errëta të Vlorës e të këtij vendi”, shtoi Basha.