Kryesore Komisioneri Hahn në Uashington: Ballkani në BE! Interes i yni gjeopolitik

Komisioneri Hahn në Uashington: Ballkani në BE! Interes i yni gjeopolitik

“Qëllimi ynë i përbashkët në të dy anët e Atlantikut është stabilizimi i Ballkanit Perëndimor dhe bashkimi i të 6 vendeve të rajonit me BE-në. Ky është interesi ynë gjeopolitik”, deklaroi Komisioneri europian i Politikave të Fqinjësisë dhe Zgjerimit, Johannes Hahn, gjatë takimit me partnerë ndërkombëtarë në Uashington, ku u diskutuan një sërë çështjesh, e ku Ballkanit iu kushtua mjaft vëmendje. Hahn theksoi hapur se, në lojë tashmë është vet besueshmëria e bllokut.

“Duhet të jemi shumë të vendosur, por të drejtë – u shpreh ai, – dhe t’i njohim meritat atëherë kur dhe aty ku duhet. Të mos i’u qëndrosh angazhimeve të tua do të thotë të humbësh aftësinë për të ndikuar”, ka qenë komenti i zyrtarit të lartë europian.

Pohimet e tij erdhën në kohën kur në Francë, kundërshtia ndaj zgjerimit të mëtejshëm të BE-së po përvijohet gjithmonë e më qartë. Ky kundërshtim u pa së fundi edhe në raport me Serbinë e konsideruar aleate historike, për të cilën bindja e përgjithshme franceze është se nuk mund të hyjë në Bashkimin Europian në vitin 2025, siç pretendohet. Mesazhi i Parisit është se gjendja aktuale e bllokut nuk i lejon anëtarësimet e reja dhe se, në kontekstin gjeopolitik, Ballkani për Francën nuk është prioritet.