Ekonomi Koncesioni i pompave, shoqëria “Noa Control” sqaron opinionin publik

Koncesioni i pompave, shoqëria “Noa Control” sqaron opinionin publik

Shoqëria “Noa Control” ka reaguar pas akuzave të ish-deputetit të Partisë Demokratike Agron Shehaj, për marrjen e shërbimit të kontrollit të pompave të furnizimit me karburant dhe rritjen e çmimit të naftës.

Kompania e ka konsideruar të pavërtetë prononcimin e ish-deputetit Shehaj, ku sipas të cilit, shoqëria “Noa Control” është licencuar në mënyrë të padrejtë dhe abuzive, ndërsa thotë se për rastin në fjalë do i drejtohet gjykatës me qëllim parandalimin e dëmit të mëtejshëm të imazhit të saj.

“Noa Control” tërheq vëmendjen e gjithë të shqetësuarve për rrezikun e rritjes së çmimit të naftës, duke deklaruar se ndikimi i tarifës së aplikuar nga verifikimet periodike është zero, që do të thotë se “Noa Control” do të aplikojë të njëjtat tarifa të miratuara shtetërore që aplikohen edhe sot.

Deklarata e plotë:

Shoqëria Noa Control sh.p.k ka ndjekur prononcimet e ndryshme në median e shkruar dhe audiovizive lidhur me tenderin e koncesionit për verifikimin e shpërndarësve të karburanteve dhe gazit të lëngshëm, të cilat në mungesë të informacionit të saktë në rastin më të mirë dhe me keqdashje në rastin më të keq, kanë disinformuar për muaj të tërë opinionin publik dhe kanë cënuar rëndë imazhin e kompanisë duke e vënë atë në një pozicion delikat dhe të paragjykuar me pa të drejtë.

Tashmë që gjithë procedura për këtë shërbim, e cila zgjati për më shumë se 2 vjet e gjysmë ka përfunduar me sukses, dëshirojmë të sqarojmë gjithë opinionin publik, se shoqëria Noa Control në çdo rast ka vepruar në përputhje të plotë me çka parashikohet në kuadrin ligjor përkatës.

Do të donim gjithashtu të informojmë gjithë të interesuarit se kryeja e këtij aktiviteti nga subjekte private të akredituara, është në përputhje të plotë me qasjen e vendeve të BE-së, që parashikon delegimin e funksioneve inspektuese te palët e treta private të akredituara, duke i lënë institucioneve shtetërore vetëm funksione mbikëqyrje të tregut. Është kjo filozofi që është ndjekur dhe nga ligjvënësit shqiptar pas vitit 2005 për shumë fusha të inspektimeve periodike të produkteve jo-ushqimore, të cilat i janë transferuar subjekteve private të akredituara. E thënë ndryshe, qasja për ofrimin e këtij kontrolli periodik nga një subjekt i akredituar, siç është Noa Control, nuk është një shpikje e jona, por një praktikë tashmë e mirë-pranuar edhe në Shqipëri, në kuadër të integrimit evropian.

Shoqëria Noa Control ka dëshmuar me sukses kompetencën e saj të lartë teknike në një sërë fushash të akredituara inspektimesh, duke u identifikuar si një kompani që bazohet në vlera si profesionalizmi, paanshmëria dhe integriteti profesional, falë edhe mbështetjes së partneritetit me Applus Norcontrol S.L.U, si një kompani lider ndërkombëtare në shumë fusha të inspektimit, duke përfshirë dhe verifikimin e shpërndarësve të karburanteve dhe gazit të lëngshëm.

Marrim shkas nga prononcimi i fundit publik i një ish-deputeti të Kuvendit, ku shoqëria Noa Control është linçuar në mënyrë të padrejtë dhe abuzive, pa asnjë bazë vërtetësie. Përpos të tjerave, dëshirojmë të sqarojmë gjithë opinionin publik se shifrat e deklaruara nga ish-deputeti janë të ekzagjeruara, spekulative dhe shumë larg gjithë parashikimeve realiste të këtij tregu. Shoqëria Noa Control për rastin në fjalë do i drejtohet gjykatës me qëllim parandalimin e dëmit të mëtejshëm të imazhit të saj.

Shoqëria Noa Control tërheq vëmendjen e gjithë të shqetësuarve për rrezikun e rritjes së çmimit të naftës, duke deklaruar se ndikimi i tarifës së aplikuar nga verifikimet periodike është zero, që do të thotë se Noa Control do të aplikojë të njëjtat tarifa të miratuara shtetërore që aplikohen edhe sot.

Së fundmi dëshirojmë të theksojmë se misioni i shoqërisë tonë është sjellja e standardeve ndërkombëtare në këtë shërbim sensitiv për konsumatorët duke ndërprerë një herë e përgjithmonë abuzimin me sasinë e karburanteve.