Bota Koreja e Veriut teston raketën e fuqishme, publikon foto nga hapësira

Koreja e Veriut teston raketën e fuqishme, publikon foto nga hapësira

Koreja e Veriut ka publikuar disa fotografi, të cilat thotë se janë realizuar nga raketa më e fuqishme e lëshuar prej saj në 5 vitet e fundit.

Fotot e pazakonta të realizuara nga hapësira tregojnë pjesë nga gadishulli korean dhe zonat përreth. Peniani konfirmoi të hënën se kishte testuar një raketë balistike me rreze të mesme Hwasong-12, e cila mund të arrijë një distancë prej mijëra kilometrash, duke shënjestruar kështu territorin më të afërt amerikan, ishullin e Guamit.

Testimi i fundit ka alarmuar komunitetin ndërkombëtar. Peniani ka realizuar 7 testime, një numër rekord, vetëm në muajin e fundit, një veprim i dënuar me forcë nga Shtetet e Bashkuara, Koreja e Jugut, Japonia dhe shtete të tjera.

Edhe Organizata e Kombeve të Bashkuara ia ka ndaluar Koresë së Veriut zhvillimin e testimeve të armatimeve bërthamore dhe ka vendosur sanksione strikte, por shteti komunist e shkel vazhdimisht këtë rregull.

Predha e testuar së fundmi arriti një distancë prej 800 kilometrash, shumë më pak nga kapaciteti maksimal i saj, si dhe u ngjit në një lartësi prej 2 mijë kilometrash, para se të rrëzohej në ujërat pranë Japonisë.

Koreja e Veriut konfirmoi lëshimin e predhës të hënën dhe tha se fotografitë ishin publikuar për të vërtetuar saktësinë. Lideri Kim Jong Un nuk ishte i pranishëm për të ndjekur lëshimin e predhës të dielën, ndryshe nga sa bëri tri javë më parë, kur u testua një predhë hipersonike.