Ministrat e Shëndetësisë së Austrisë, Kroacisë, Francës, Gjermanisë, Italisë, Sllovenisë, Zvicrës dhe San Marinos u takuan këtë të martë në Romë dhe në një deklarata të përbashkët thanë se mbyllja e kufijve do të ishte masë e paefektshme dhe jo proporcionale në këtë moment.
Ministri italian, Roberto Speranca e quajti takimin tepër pozitiv. Italia është edhe shteti me numrin më të madh të rasteve (322 deri tani) dhe viktimave (11 deri tani) jashtë Azisë, me pjesën kryesore të ndodhur në rajonin e Lombardisë.
Raste të tjerë janë konfirmuar në Austri, Kroaci, Zvicër, Spanjë, ndërsa edhe Franca konfirmoi pak minuta më parë dy raste të tjerë. Bëhet fjalë për një burrë francez, i cili sapo ishte rikthyer pikërisht nga Lombardia, si dhe për një grua kineze, e cila, sipas Institutit të Shëndetit, duket se është shëruar.
Ndërkohë, në Britaninë e Madhe dy shkolla janë mbyllur pasi disa nxënës ishin kthyer nga një ekskursion në Itali. Vendimin e kanë marrë drejtuesit e “Trinity Catholic College” në Midëllsbrou dhe “Cransley Private School” në Çeshajër. Por ndërsa shkolla e parë ka pasur disa raste të nxënësve që kanë shfaqur simptoma gripi, shkolla e dytë vendosi të mbyllet për arsye sigurie.