Bota Koronavirusi “infekton” edhe ekonominë kineze, ndërhyn Banka Qendrore

Koronavirusi “infekton” edhe ekonominë kineze, ndërhyn Banka Qendrore

Banka Qendrore Kineze (PBOC) ka filluar të vendosë masa për të mbështetur likuiditetin në tregu dhe ekonominë në tërësi, e cila është vënë në provë nga koronavirusi. Në sistem janë injektuar 150 miliardë juanë, e barabartë me 19.3 miliardë euro, shumë kjo e futur përmes marrëveshjeve të riblerjes së bonove 7 dhe 14-ditore.

Marrëveshjet e riblerjes me norma më të ulëta shërbejnë për të “siguruar likuiditet të bollshëm gjatë kësaj periudhe të veçantë të kontrollit të virusit”, tha Banka Qendrore Kineze, e cila do të vazhdojë të “monitorojë nga afër” likuiditetin në tregje. PBOC injektoi 1 200 miliardë juanë në marrëveshje të tilla me afat 7 dhe 14-ditor me një efekt neto prej 150 miliardë si bono që maturohen në 1 050 miliardë juanë në të njëjtën kohë. Këshilltari i Bankës Qendrore Ma Jun tregoi se normat e huazimit afatmesëm të muajit shkurt pritet gjithashtu të bien, raporton Bloomberg.

Shkëmbimet e aksioneve kineze, midis Shangait dhe Shenzhen-it, shkaktuan një humbje prej 420 miliardë dollarë në drejtim të kapitalizimit, që erdhi nga frika e koronavirusit të Vuhan: në ditën e parë të tregtimit pas pushimit të gjatë të Vitit të Ri Kinez, Shanghai humbi 7.72%, Shenzheni 8.41%.

Kërkesa e Kinës për naftë ka rënë me rreth 3 milion fuçi në ditë, e barabartë me 20% të nevojave totale, për shkak të efekteve në ekonomi të masave për frenimin e përhapjes së epidemisë. Bloomberg citon menaxherët e lartë të grupeve të naftës kineze dhe perëndimore. Kjo është ndoshta tronditja më e rëndë që ka pësuar kërkesa për naftë që nga kriza financiare në 2008-2009, dhe më e papritura që nga sulmi në Kullat Binjake.