Bota Koronavirusi prek 141 vende në mbarë botën: Gjermania dhe Spanja mbyllin kufijtë

Koronavirusi prek 141 vende në mbarë botën: Gjermania dhe Spanja mbyllin kufijtë

Numri i rasteve me koronavirus në botë të dielën arriti në 163.930 persona dhe 6.420 vdekje. Tashmë 141 vende e territore rezultojnë të prekur.

Kina, ku u shfaq virusi për herë të parë në fund të muajit dhjetorit, deri më tani ka deklaruar 80.844 raste të prekurish dhe 3,199 vdekje, ndërsa 66.911 njerëz janë shëruar.

Jashtë Kinës të dielën u regjistruan 3.221 vdekje.

Kombi më i goditur pas Kinës vazhdon të jetë Italia me 1.809 vdekje dhe 24.747 raste personat të prekur, më pas renditet Irani me 724 vdekje dhe 13.938 raste, Spanja me 288 vdekje dhe 7.753 raste dhe Franca, me 91 vdekje dhe 4,499 raste.

Koreja e Jugut ka përcaktuar disa provinca në juglindje të vendit, të cilat janë goditur rëndë nga COVID-19 si “zona të veçanta katastrofash”, gjë që i hap rrugë mbështetjes financiare të tyre dhe marrjes së masave për lehtësimin e situatës.

Emërtimi zakonisht rezervohet për zonat e prekura nga tajfunët, përmbytjet dhe katastrofat e tjera. Koreja e Jugut ka regjistruar 8.162 raste me koronavirus.

Në Australi, autoritetet njoftuan se të gjithë vizitorët e huaj do të izolohen për 14 ditë dhe se asnjë anije turistike që vjen nga jashtë nuk do të lejohet të ankorohet. Kryeministri Scott Morrison tha të dielën se masat kanë për qëllim ndalimin e përhapjes së COVID-19 në vend.

Spanja njoftoi të shtunën kufizime të ashpra të lëvizjes së popullsisë prej 46 milionë banorësh në një përpjekje për të parandaluar përhapjen e gjerë të koronavirusit që përhapet. Autoritetet në Madrid thanë se do të marrin masa të ngjashme me Italinë gjatë izolimit për dy javë të vendit vendit. Kryeministri Spanjoll Pedro Sanchez tha se do të lejohen daljet nga shtëpia vetëm për të blerë ushqime dhe ilaçe, për të shkuar në punë, për të siguruar kujdes shëndetësor ose për të ndihmuar fëmijët apo të moshuarit.

Spanja ka më shumë se 6.300 raste të konfirmuara COVID-19 duke pësuar një rritje me më shumë se 1.500 në 24 orët e fundit. Numri i të vdekurve është rritur në 196. Spanja renditet në vendin e pestë në botë për nga numri i rasteve të konfirmuara pas Kinës, Italisë, Iranit dhe Koresë së Jugut.

Franca gjithashtu ka njoftuar kufizime të reja për të përmirësuar gjendjen në vend. Zyrtarët kanë mbyllur tashmë pika të rëndësishme turistike si kullën Eifel dhe muzeun e Luvrit, por duke filluar nga sot (e diel) do të mbyllen gjithashtu edhe vende të tjera ku mblidhen njerëz si restorante, kinema apo dyqane me pakicë që shesin produkte jo-thelbësore. Megjithatë të dielën Franca vazhdoi sipas planeve me mbajtjen e zgjedhjet lokale. Në këtë vend janë regjistruar rreth 4,400 raste të konfirmuara me koronavirus dhe 91 të vdekur.

Të dielën mediat gjermane njoftuan se vendi planifikon të mbyllë kufijtë me Austrinë, Francën dhe Zvicrën duke nisur prej ditës së hënë.

Gjermania do të mbyllë kufijtë e saj me Francën, Austrinë dhe Zvicrën duke filluar nga e hëna për shkak të koronavirusit, njoftuan burimet qeveritare.

“Masa do të hyjë në fuqi duke filluar nga ora 08:00”, thanë ato.

Sipas informacioneve, transporti i mallrave mes Gjermanisë dhe fqinjëve të saj do të mbetet në funksion.

Gjithashtu, udhëtarët do të lejohen të kalojnë kufijtë në bazë të planit, siç është rënë dakord nga kancelarja Angela Merkel dhe krerët e katër landeve gjermane.