Bota Kremlini përsërit mesazhin e Putin: Rusia do të pastrohet nga “tradhtarët”

Kremlini përsërit mesazhin e Putin: Rusia do të pastrohet nga “tradhtarët”

“Operacioni në Ukrainë do të nxjerr në dritë “tradhtarët” brenda Rusisë”, tha Kremlini, duke përsëritur apelin e presidentit Vladimir Putin për “purifikimin” e shoqërisë ruse. “Në këto situata, shumë persona e tregojnë vetën si tradhtarë”, tha zëdhënësi i Putin, Dmitry Peskov. “Zhduken nga jetët tona. Disa lënë vendet e tyre, disa lënë vendin. Dhe kështu bëhet pastrimi”, tha Peskov duke shtuar se megjithatë se “shumica dërmuese” e rusëve mbështet Putin.

Reagimi i Peskov erdhi pasi Vladimir Putin ka bërë thirrje që në Rusi të bëhet një “spastrim natyral” i “fundërrinave dhe tradhtarëve”, që kritikojnë pushtimin e Ukrainës, të urdhëruar prej tij.

Nëpërmjet një adresimi televiziv, më 16 mars, presidenti rus po ashtu e ka akuzuar Perëndimin se po përpiqet ta përçarë shoqërinë ruse, dhe të nxisë një konfrontim civil në Rusi.

“Çdo popull, dhe veçanërisht populli rus, do të jetë gjithmonë në gjendje t’i dallojë patriotët nga fundërrinat dhe tradhtarët. Jam i bindur se ky vetëpastrim i natyrshëm dhe i domosdoshëm i shoqërisë vetëm sa do të forcojë vendin tonë, solidaritetin, kohezionin dhe gatishmërinë tonë për të përballuar çdo sfidë”, u shpreh Putin.