Politika Kritikat e Ramës ndaj Kosovës, reagon Albin Kurti: S’e di për çfarë...

Kritikat e Ramës ndaj Kosovës, reagon Albin Kurti: S’e di për çfarë teorie konspiracioni është fjala

Pas kritikave të radhës të kryeministrit Edi Rama ndaj Kosovës për faktin se nuk përfshihet në nismën Ballkani i Hapur, ka reaguar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kurti thekson se Procesi i Berlinit është edhe korniza edhe rruga për integrimin e 6 shteteve të Ballkanit Perëndimor në BE.

“Nuk e di për çfarë teorie konspiracioni është fjala këtu. Po ua tregoj qëndrimin tim. Kjo është që procesi i Berlinit është i nevojshëm, por edhe i mjaftueshëm për rrugëtimin europian. Ballkani jo që nuk është 3 shtete, por është 12 shtete dhe ka procesin e Berlinit. Iniciativat rajonale, ne nuk besoj se duhet të bëhen pa BE-në brenda. Tek e dyta s’e kemi BE-në. Kosova është e pavarur, për të cilin ne duhet të angazhohemi për njohjen e saj dhe jo të shprehim mirëkuptim për mosnjohjen e saj. Çdo mirëkuptim ndaj Serbisë i kushton Kosovës”.

Kurti u shpreh i prerë se Kosova nuk do të bëhet pjesë e nismës Ballkani i Hapur. Ai thekson se do të vijojë takimi i përbashkët mes qeverisë së Prishtinës dhe të Tiranës.

“Do të kemi takim mes dy qeverive. Sa të formohet qeveria e Shqipërisë do të fillojmë takimet. Kemi gjëra të panumërta që na afrojnë dhe na bashkojnë. Pyetjet bëhen për një të vetme që na ndan”, tha Kurti.