Përzgjedhja e editorit Kryengritja e peshëngritësve: Federata nuk është pronë private, duam zgjedhje të parakohshme

Kryengritja e peshëngritësve: Federata nuk është pronë private, duam zgjedhje të parakohshme

Skandali i radhës i dopingut në sportin e peshëngritjes që u shoqërua edhe me dorëheqjen e presidentit të Federatës Elez Gjoza, ka indinjuar trajnerët dhe peshëngritësit e tjerë të vendit tonë, të cilët nëpërmjet një dalje për median kanë kërkuar mbajtjen e menjëhershme të zgjedhjeve të parakohshme në këtë institucion.

Trajneri Hektor Shaqiri ka folur ashpër pikërisht për njerëzit që kanë drejtuar sportin e peshëngritjes në vitet e fundit: “Më vjen turp që FSHP është drejtuar nga njerëz që kanë pasur interesa personale. Duam që të mbahen zgjedhjet për të kthyer peshëngritjen në vendin që i takon. Jam ende krenar që merrem me këtë sport”, u shpreh Shaqiri që prej vitesh ka drejtuar ekipin kombëtar.

Nga ish-trajneri i famshëm Hektor Shaqiri, te Endri Haxhihyseni, të gjithë kërkojnë zgjedhje të parakohshme për ta kthyer sportin e peshëngritjes në vendin ku i takon.

“Federata e Peshëngritjes nuk është pronë private që largohet Elez Gjoza dhe ia lë Gudar Beqirajt. Nëse kishte një kryesi që e ka zgjedhur këtë president të përkohshëm, duhej të kishin lajmëruar Ministrinë, KOKSH-in dhe sportistët, nëse ishin dakord me këtë vendim”, tha Endri Haxhihyseni.

Të njëjtin qëndrim kanë edhe sportistët, mes të cilëve edhe kampioni Daniel Godelli, të cilët iu bashkuan thirrjes së komunitetit të peshëngritjes për ta kthyer federatën në duart e njerëzve të sportit.

“Ka ardhur koha që sportistët dhe trajnerët të vendosin vetë se kush do ta drejtojë federatën dhe jo ata njerëz që nuk janë të sportit dhe nuk e duan sportin. Këtu janë trajnerët dhe sportistët më të mirë të Shqipërisë. Ka ardhur koha që ne të vendosim vetë për të drejtat tona. Duam zgjedhje të parakohshme”, deklaroi Daniel Godelli që në kampionatin e fundit botëror nuk ishte pjesë e skuadrës, për shkak të mospajisjes me vizë amerikane.

“Ne jemi ata që derdhim mundin dhe djersën për të arritur rezultate. Ne duhet të vendosim për të ardhmen tonë dhe duhet të marrin menjëherë fund këto skandale”, u shpreh Kristi Ramadani.

Përpara disa ditësh Romela Begaj rezultoi pozitive me substancën stanozolol, pas Botërorit të zhvilluar në SHBA, hera e dytë për të pas asaj të vitit 2014 në Botërorin e Kazakistanit.