Ish-kandidati për kryetar në bashkinë e Kukësit, Admir Sinamati, në një intervistë për emisionin ‘Kontrast’ në Report Tv, tha se para zgjedhjeve një person i ishte ofruar për një video kompromentuese, por që tha se nuk e kishte pranuar duke e refuzuar.
“Sa për dijeni. Në javën e parë të fushatës më është prezantuar një qytetar, më ofroi një video komprometuese. I thashë nuk jam njeri që merrem përndjekje të personave, më tepër të rivalëve të tij. I thashë nëse ke diçka drejtohu organeve ligjzbatuese. Unë me kundërshtarin tim kam një betejë politike. Materialin që më është ofruar atëherë nuk e kam parë. Jam larg këtyre formave. Ai person që më tha për videon ishte person i panjohur për mua”, tha ai.
I pyetur në lidhje me videon erotike të publikuar të ish-kryetarit të bashkisë së Kukësit, Sinamati tha se rezervohet për të folur sa kohë që kjo është një çështje që tashmë i takon prokurorisë.
“Të them të vërtetën rezervohem në drejtën për të folur pasi qytetarët shqiptarë janë njohur me këtë aferë dhe sa kohë kjo çështje i takon hetimit dhe shqyrtimit në organet ligjzbatues se kam dëshirë të komentoj”, tha Sinamati.
Pas deklaratës së Admir Sinamatit se i kanë ofruar video komprometuese para zgjedhjeve, analisti Lorenc Vangjeli u shpreh në emisionin ‘Kontrast’ se dera që iu mbyll personazhit që bën shantazh me videon në Kukës iu hap në Tiranë.
“Është hera e parë që thuhet një gjë e tillë. Ka pasur tentativa, por ishte shumë befasues qëndrimi i Sinematit dhe kam përshtypjen se do të ishte e udhës që kështu të mendonin dhe në Tiranë. Lajmi i bujshëm dhe refuzim i tij për ta ndjekur atë deri në fund, i bëjnë nder atij si personazh po kam frikë se të tjera zyra politike në Tiranë, do t’i jenë hapur këtij personazhi misterioz që ka material shtantazhues ndaj Gjicit dhe ndoshta nesër kjo mund te jetë një nga arsyet që shpjegon heshtjen e Berishës”, tha Vangjeli.