Kosova Kurti paralajmëron rikthimin e Blakajt si kryeprokuror: Kosova ka nevojë për një...

Kurti paralajmëron rikthimin e Blakajt si kryeprokuror: Kosova ka nevojë për një Eliot Ness

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka thënë për “The Guardian” se Kosova ka nevojë për një Eliot Ness, i cili do të bëhej njeriu më i famshëm në vend dhe do të udhëhiqte një proces të drejt në drejtësi.

“Ne duhet të prodhojmë Eliot Nessin tonë, dhe ai duhet të bëhet njeriu më i famshëm në vend. Jemi gati 200 prokurorë, por disa prej tyre nuk kanë njohuri e disa nuk kanë guxim, por disa të tjerë s’i kanë asnjërën. Ata duhet të çlirohen nga shteti”, tha Kurti për “The Guardian”.

Kush është Eliot Ness?

Gjatë viteve të 20’ dhe 30’, periudha e “depresionit” të madh ekonomik të shekullit të kaluar, në Çikago sundonte Al Capone dhe grupi i tij mafioz, i cili ishte i pandalshëm, i paprekshëm dhe mbi ligjin.

Ky grup sfidohej nga agjenti i FBI-së, Eliot Ness.

Ai ndihmoi në vendosjen e një grupi agjentësh që shpenzuan 6 muajt e parë të vitit 1931 duke bastisur vendet e fshehta të Capone-s. Makina e tij u vodh tre herë, telefoni i zyrës së tij përgjohej, i ofruan ryshfet, dhe një mik i tij informues u qëllua katër herë në fytyrë.

Megjithatë ai dhe ekipi tij, që shkonte nga 6 në 10 persona, kishin shumë akuza kundër Capone-s.

Ata u cilësuan si “të paprekshmit” në një artikull në gazetën e Çikagos në vitin 1931 sepse refuzonin ryshfetet.

Prokurori George Johnson e donte shumë punën e Ness, por vendosi të ndiqte penalisht Capone-n me akuza për evazion fiskal.