Politika Kush është ambasadori i ri i Britanisë së Madhe në Shqipëri

Kush është ambasadori i ri i Britanisë së Madhe në Shqipëri

Alastair King-Smith

Mbretëria e Bashkuar ka vendosur për emrin e ambasadorit të ri pas mbarimit të mandatit të Duncan Norman. Kreu i ri i selisë diplomatike të Londrës në Tiranë do jetë Alastair King-Smith.

Norman, i cili mban edhe titullin MBE (Member of the British Empire) ishte protagonist, bashkë me ambasadoren amerikane Yuri Kim, dhe atë të Bashkimit Europian, Luigi Soreca, në marrëveshjen e 5 qershorit arritur mes qeverisë dhe opozitës, çka solli rikthimin e opozitës në institucione.

Kush është ambasadori i ri

“Alastair King-Smith është emëruar nga ambasador i Britanisë së Madhe në Shqipëri, pas përfundimit të mandatit të Duncan Norman, i cili do të transferohet në një tjetër detyrë diplomatike. King-Smith do të marrë detyrën e tij si ambasador në Shqipëri në shtatorin e vitit 2021”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar.

King-Smith e ka nisur karrierën në vitin 1996. Fillimisht ka qenë zyrtar i Ministrisë së Jashtme për Departamentin e Lindjes, duke mbuluar marrëdhëniet me Rusinë.

Më pas ka shërbyer si i ngarkuar me punë i Mbretërisë së Bashkuar në Tripoli, Libi (1999).

Pas një karriere diplomatike në vendet e Lindjes së Mesme e Azisë si Irak, Sudan, Pakistan, Kenia e Izrael, në vitin 2015 është kthyer në Mbretërinë e Bashkuar ku ka mbajtur disa funksione.

I fundit është zv.drejtor i Task-Forcës për koronavirusin.