Opinione Kushtetuesja, atentat kundër besimit

Kushtetuesja, atentat kundër besimit

Çapajev Gjokutaj

Nga Çapajev Gjokutaj

Vështirë se i gjykon dot esëll sherret për gjykatën kushtetuese që na vijnë mes një mishmashi mediatik. Ashtu si për shumicën e grindjeve politike shpjegimet vijnë të polarizuara.

Mediat pranë mazhorancës thonë se kemi të bejmë me një përpjekje të dëshpëruar të presidentit për të vonuar ngritjen e kësaj gjykate dhe, bashkë me të edhe shqyrtimin e kërkesës për shkarkimin e atij vetë.

Mediat pranë opozitës thonë se maxhoranca po përpiqet, këtu tinëz e atje hapur, të ndikojë procesin, të zgjedhë gjykatës partizanë që nesër do të mundë t’i komandojë ose së paku t’i ndikojë.

Përtej mjegullës së qëndrimeve partizane, mund të dallosh diçka që vështirë se mund ta kundërshtosh: procesi i përzgjedhjes i ka ikur normalitetit, ka shënuar një varg mungesash e parregullsish.

Disa prej këtyre mund të kenë ardhur vetiu e pa ndërhyrje, të tjerat ngjajnë të stisura nga aktorët pjesëmarrës, me synim që të ndikojnë procesin dhe të sigurojnë ndikim në punën e nesërme të këtij institucioni, zemerek që ruan ekuilibrat e shtetit.

Edhe në vende me demokraci të zhvilluar palët politike synojnë të zgjedhin në institucione të tilla profesionistë që, në një mënyrë a tjetrën, janë pranë tyre. Por gjithçka bëhet brenda kufijve ligjorë dhe askush nuk guxon të luajë me procedurat.

Jo se janë engjëj, por se është e sigurt që të nesërmen do të përballen me ligjin. Këta tanët guxojnë se mbi ligjet kemi maliqët dhe pandëshkueshmërinë.

Sherri për kushtetuesen duhet të mbyllet sa më shpejt. Shteti ynë i sotëm është shkurdisur dhe kushtetuesja duhet për të ruajtur ekuilibrat mes aktorëve politikë e institucionalë dhe të mos lejojë vetëgjyqësi.

Njihemi botërisht si i vetmi vend europian që ruan edhe sot e kësaj dite elementë të gjakmarrjes. Turp e faqe e zezë që parlamenti dhe presidenca të bëjnë vetëgjyqësi si cuba fshehur pas ferrash.

Kushtetuesja nuk duhet të ishte shpërbërë në asnjë rrethanë dhe për asnjë shkak. Po të qe funksionale sot, sido që të ishte, do hynte mes palëve dhe do krijonte ekuilibër. Tani që proçka është bërë, duhet të krijohet sa më parë. Çdo vonesë e sorollatje vjen me kosto të larta për shtetin dhe për qytetarët.

Jo vetëm kaq, sherri për kushtetuesen është një atentat kundër besimit qytetar se reforma në drejtësi do të japë fryte. Është fare e lehtë që ky besim të vritet në një vend ku 78% e shtetasve mendojnë se gjyqësori aktual është i korruptuar, nuk bën drejtësi por shet favore.

Po qe se perceptime të tilla të zymta nuk do të davariten gradualisht dhe hap pas hapi, rinia do e kërkojë shpëtimin me këmbë, kurse ne të tjerët do vazhdojmë të shtyjmë ditët mes mjegullave mediatike, mbushur me angullimat e ujqërve të politikës.