Bota Laburistët: Brexit me marrëveshje, ose sërish referendum

Laburistët: Brexit me marrëveshje, ose sërish referendum

“Në kohën kur Britania përgatitet të lërë bllokun europian, Partia Laburiste në opozitë po lëviz në drejtimin e një votimi të ri për Brexit-in”, deklaroi numri dy i saj Tom Watson.
“Mbretëria e Bashkuar nuk mund të rrezikojë një shkëputje pa marrëveshje”, ka qenë komenti i një tjetër drejtuesi të lartë laburist. Watson sqaroi se partia e tij do të preferonte që kryeministrja Theresa May të arrinte vulosjen e një marrëveshjeje, e cila do ta mbante ekonominë britanike pranë BE-së.

Por nëse kjo nuk ndodh, është shprehur ai, nëse nuk e sigurojmë dot ujdinë, atëherë politika e partisë tonë është të mbështesë një votë të popullit.
Pozicioni aktual i laburistëve është se “respektojnë rezultatin e referendumit dhe faktin që Britania po largohet nga Bashkimi Europian”.

Megjithatë, në faqen e saj të internetit nënvizohet se “nuk do të mbështesë asnjë marrëveshje të konservatorëve, që do t’i shkaktonte dëme afatgjata të drejtave të punësimit dhe standardeve të jetesës”.

Shefja e ekzekutivit nuk ka mundur deri tani ta kalojë në parlament propozimin e saj të Brexit-it dhe shumë politikanë e akuzojnë se po e zvarrit çështjen, duke përdorur frikën e një largimi pa marrëveshje, si mjet për të goditur kundërshtarët.

Së fundi, edhe zëdhënësi laburist, Barry Gardiner deklaroi se një referendum i dytë mbi largimin nga blloku, duhet të shërbejë si një lloj “rrjete shpëtimi”, ndërsa shtoi se votimi i ri nuk do ta përfshijë marrëveshjen e May-t.