Sport Leo Messi injoron ekipin për punët e tij në Arabi, ‘L’Equipe’ e...

Leo Messi injoron ekipin për punët e tij në Arabi, ‘L’Equipe’ e quan mashtrues

Messi me familjen ne Arabine Saudite.

Një tjetër krisje mes PSG-së dhe Leo Messit, që e bën thuajse të sigurt lamtumirën e argjentinasit në fund të sezonit. Ai duket se ka vendosur të prishë përfundimisht marrëdhënien me klubin, që nuk e ka fituar ende titullin kampion (5 pikë para Marsejës).

Messi, pas humbjes ndaj Lorient, ka shkuar në Arabinë Saudite për çështje komerciale. Ai ka injoruar ‘dënimin’ e trajnerit Galtier për atë paraqitje të shëmtuar që skuadra bëri të dielën. ‘Pleshti’ nuk i ndryshoi planet e tij dhe, sipas ‘L’Equipe’, nuk denjoi as të lajmëronte stafin. Për këtë situatë, e përditshmja franceze i ka kushtuar faqen e parë, duke e quajtur “mashtrues”.

Faqja e pare e ‘L’Equipe’ per Messin

Argjentinasi zgjodhi të mos i anulonte takimet në Arabi, ku është i përzgjedhuri i federatës së Rijadit për promovimin e kandidaturës në lidhje me organizimin e Botërorit 2030. Dhe kjo sjellje e Mesit ka shkaktuar kaos në Paris.

Në qershor rrugët e Messit dhe PSG-së janë të destinuara të ndahen, kontrata vështirë se do të rinovohet. Lojtari nuk është ambientuar asnjëherë në Francë dhe duket se synon rikthimin te Barcelona. Klubi parisien ka vendosur të mbështetet më shumë te Mbappe, si në fushë, edhe jashtë saj.

Pas dy vjetësh pa shkëlqim, Mesi po bën valixhet gati për t’u kthyer në shtëpi. Babai i tij ka intensifikuar kontaktet me drejtuesit e klubit katalanas për një akord ekonomik.