Histori Letra e Enver Hoxhës për goditjen e Ballit Kombëtar që filloi “luftën...

Letra e Enver Hoxhës për goditjen e Ballit Kombëtar që filloi “luftën civile” në Shqipëri

Në 1 tetor 1943 Enver Hoxha i dërgon Qarkorëve të Partisë Komuniste një letër, në të cilën ai i informonte ata jo vetëm për situatën e përgjithshme, por po ashtu jepte edhe udhëzime se si duhej të vazhdonte lufta më tej.

Qarkorit të Vlorës dhe të Gjirokastrës ai u dërgoi një letër të veçantë, nisur nga specifikat që kishte lufta në këto zona. E veçanta e Gjirokastrës ishte se në qytet nuk kishte forca gjermane dhe në të gjendeshin si komunistët ashtu edhe forcat e Ballit Kombëtar.

Kjo letër është interpretuar ndonjëherë si fillimi i “luftës civile” sepse në të Enver Hoxha udhëzon goditjen e forcave të Ballit.

Një lexim i kujdesshëm, i plotë dhe duke mos e nxjerrë nga konteksti i saj këtë letër, na bën të kuptojmë drejt situatën e forcave politike shqiptare pas prishjes në Mukje.

Për më shumë lexoni letrën e plotë që Enver Hoxha i dërgonte më 1 tetor 1943 Qarkorit të Gjirokastrës, të nxjerrë nga Arkivi i Shtetit dhe që është kahershëm në vëllimin me dokumente të PPSH-së:

***

1 tetor 1943

KOMITETIT QARKOR TË GJIROKASTRËS

Të dashur shokë,

Morën letrën tuaj në datën 27.9.1943. Ju kemi çuar dy letra, ku ju jepnim udhëzime se si duhej të vepronit në rast se qyteti ishte i çliruar. Nga letra juaj kuptojmë një gjë, që Balli Kombëtar, me forcat mercenare të tij, po bën ligjin në atë qytet, ai është i instaluar si pushtet dhe me njerëzit e tij, që arrijnë në 500-600 veta, ai ka mbërritur të futë terrorin në popull dhe të grabitë. Nuk kuptojmë një gjë në këtë mes. Si bëhet që forcat tona, që shkruani se arrijnë në 2000 veta, lajnë të hyjnë njerëzit e Ballit në qytetin e Gjirokastrës, gjithashtu edhe të Delvinës, ndoshta edhe gjetkë? Na duket se e keni nënvleftësuar shumë forcën e Ballit, i cili, ashtu si është, e bën punën e tij dhe s’na pyet aspak, kurse ne mbetemi vetëm në konstatime të përgjithshme, duke këqyrur që Balli po vjedh, që Balli po drejtohet prej reaksionarëve, që Balli po diskreditohet në popull, dhe me gjithë këto ai qëndron i shtruar në Gjirokastër, kurse ju kënaqeni të bëni vetëm punë politike dhe t’i shihni me duarkryq këta maskarenj të veprojnë dhe të dalin e të mbajnë konferenca nëpër qytet.

Diskreditimi i Ballit dhe urrejtja e popullit për të, na duket se duhet të shërbejë për diçka, jo për të bërë polemikë me fjalë me Ali Këlcyrën me shokë: Por t’i spastrojmë ato plehra, me forcë e me armë të marrim pushtetin në dorë, të qërojmë vendin nga bashibozukët dhe të stabilizojmë rregullin e qetësinë. Të ngrehim përnjëherësh pushtetin e këshillave, dhe këtë ta mbrojmë me çdo kusht. Nuk duhet të kufizohemi vetëm me punë politike, por kjo punë politike duhet të forcohet me veprime ushtarake dhe veprime energjike, derisa të mos ketë tjetër pushtet atje, përveç tonit. Këto janë detyrat tuaja imediate, që duhet t’i kryeni patjetër.

Me majorin anglez, qëndrimi juaj duhet të jetë i qartë. Ai është këtu përfaqësuesi i ushtrisë angleze dhe si i tillë duhet të përkrahë ata që luftojnë kundër okupatorit. Në asnjë mënyrë ai s’ka të drejtë të përzihet në punët tona të brendshme e sidomos ushtarake. T’i themi haptazi qëndrimin tonë karshi Ballit Kombëtar, dhe për çdo gjë ai do të bëjë në favor të tij dhe në disfavor të luftës që bën populli shqiptar, do të jetë vetë përgjegjës përpara qeverisë së tij dhe përpara nesh.

Në asnjë mënyrë të mos merret si arbitër për të zgjidhur çështjet tona dhe të Ballit, këto i rregullojmë vetë, ai mund të veprojë si t’i dojë qejfi, por edhe ne pastaj jemi të lirë të veprojmë ashtu si na e lyp interesi i vendit tonë, i popullit tonë, gjithashtu edhe i luftës sonë, që është e lidhur ngushtë me luftën që bëjnë popujt e demokracive të mëdha dhe jo me ato që mund të kërkojë të bëjë majori anglez. Balli Kombëtar mund t’i bëjë njëqind e një promemorie, ne promemoriet ia bëjmë popullit tonë dhe aq na bën për punët që do të bëjnë Ali Këlcyra me Bahri Omarin e shokë. Punët tona të jenë kësisoj me majorin anglez.

Bashkimi me Ballin tani është një punë e vdekur dhe s’bisedohet më për atë punë. Tani bisedohet shpartallimi i Ballit Kombëtar dhe ata elementë që hiqeshin si ballistë e që e kuptojnë punën e fëlliqur të Ballit duhet të futen në radhët tona. S’ka më bashkim me Ballin, zhdukeni këtë iluzion, dhe as kemi ndonjë fitim për t’ia arritur kësaj pune. Me një organizatë që ka në shpirt kompromisin, që s’ka hedhur asnjë pushkë kundër fashizmit dhe që vazhdon të mos hedhë asnjë kundër gjermanëve, por i ndihmon këta për të na vrarë, me një organizatë që gjithë aktivitetin e saj e ka drejtuar kundër lëvizjes sonë, kundër komunizmit dhe Partisë Komuniste, s’kemi se si bëjmë bashkim.

Për t’ia arritur këtij bashkimi kemi punuar kaq kohë, kemi bërë kaq përçapje, kemi bërë veshin e shurdhër përpara sharjeve të tyre të ndyra, kemi sakrifikuar shokë, që na janë vrarë poshtërsisht prej tyre, por tani është mbushur kupa. Ne Ballin Kombëtar do ta luftojmë si një organizatë reaksionare që i shërben armikut, dhe vetëm me ata njerëz që mohojnë të shkuarën e tyre me Ballin, duke e demaskuar botërisht, tok me gabimet e tyre, dhe që pranojnë të hyjnë në radhët tona e të luftojnë okupatorin, vetëm me ata mund të bashkëpunojmë. Prandaj, demaskimi i Ballit dhe i eksponentëve të tij të bëhet në shkallë të gjerë dhe populli ta marrë vesh njëherë e mirë se kush janë ata bukuroshë.

Luftën që po i hapim Ballit duhet t’ia shpjegoni mirë popullit dhe për t’ia shpjeguar duhet që ju ta keni kuptuar mirë esencën e kësaj lufte që po i bëhet kësaj organizate, duhet të keni kuptuar mirë letrat tona si dhe artikujt e «Zërit të popullit» dhe të «Bashkimit». Materialin propagandistik të mos e pritni vetëm t’jua dërgojë Tirana, por ta riprodhoni vetë, sepse ju punoni në një qytet të lirë, kurse Tirana punon nën tmerrin e Gestapos dhe të agjentëve të saj.

Këto ditët e fundit u hodh një trakt nga «partia nacional-zogiste». Poshtë këtij trakti figuronin emrat e Fiqiri Dines, Muharrem Bajraktarit, Bazit të Canës, Myftar Kaloshit e të disa majorëve zogistë të tjerë. Ky trakt thërriste popullin të shpallte lirinë nën flamurin e Zogut, «mbretit të dashur, yllit të Shqipërisë» etj., etj. gjëra të tilla. Kjo parti, sikundër edhe Balli e çdo parti tjetër që del dhe punon jashtë Frontit Nacionalçlirimtar, duhet të luftohen si parti jopërparimtare, sepse objektivisht këto parti bëjnë lojën e okupatorit, dhe çdo grumbullim ushtarak e komandë jashtë Ushtrisë Nacionalçlirimtare janë grupe bashibozukësh, që përpiqen të sjellin në fuqi regjimin e vjetër dhe klika e personave në fuqi.

Ky trakt i hedhur prej kësaj partie zogiste erdhi tamam në momentin e duhur për ne dhe bile të favorshëm, se në atë moment Balli Kombëtar përpiqej të grumbullonte rreth tij gjithë reaksionin dhe ta hidhte në luftë kundër nesh. Ngjet që në Ballin Kombëtar ka mjaft elementë antizogistë dhe që tmerrohen nga ardhja e Zogut këtu. Këta elementë, që deri dje luftonin, e kishin harruar Zogun ose e quanin një rrezik të largët dhe do të mundnin me  «organizimin e tyre» ta luftonin, por tani atyre u shkojnë ethe në kurriz, se e dinë fare mirë sa forca ka Balli dhe ç’elementë ka në Ballin «të aftë për të luftuar një rrezik zogist».

Ata e dinë, nga ana tjetër, se kush janë ata që do të luftojnë realisht kthimin në Shqipëri të një rrëgjimi të tillë. Kështu që këta njerëz do të kërkojnë një mbështetje, dhe këtë mbështetje do ta gjejnë vetëm te ne. Prandaj, ata do të fillojnë të tërhiqen nga Balli dhe do të fillojnë të afrohen me ne. Nga ana tjetër, shumë njerëz kanë qëndruar deri tani indiferentë, por kur shohin se flitet për një ardhje të Zogut në fuqi, ata frikësohen. Populli, po ai malum, në shumicën më të madhe është antizogist. Në këtë situatë, po të dimë të veprojmë, mund të përfitojmë shumë si në likuidimin e Balli, si në likuidimin e zogistëve dhe diskreditimin e kësaj tentative të tyre, ashtu në forcimin e pozitave tona.

Tani ju duhet njëkohësisht të vazhdoni demaskimin e Ballit e të gjithë atyre që e udhëheqin, veçanërisht në krahinën tuaj dhe, nga ana tjetër, të luftoni çdo parti tjetër që vepron jashtë lëvizjes nacionalçlirimtare. Kjo s’do të thotë se jemi kundër formimit të partive të ndryshme politike, por këto parti, që të mund të formohen, duhet që në programin e tyre të kenë në ballë të parë luftën kundër okupatorit, luftën me prova dhe jo me fjalë dhe këto parti të marrin pjesë në Frontin Nacionalçlirimtar, duke pasur të drejtë të ruajnë individualitetin e tyre. Për çështjen e Zogut, me anën e propagandës mund t’i themi popullit se  «Zogu është ky», se  «ka bërë këtë ose atë», se «ai në vend që të luftonte, shkoi pa hedhur asnjë pushkë», se «Zogu po të ishte nga ata burra, duhej të vinte të luftonte dhe jo të bënte qejf andej», se «Çërçilli mund të fjaloset dita me ditë me Zogun, neve aq na bën», se «për fatin tonë nuk do të vendosë as Zogu, as Çërçilli, por do të vendosim ne vetë, me armët që kemi në dorë, dhe këtë të drejtë na e ka siguruar lufta jonë, na e siguron lufta e popujve përparimdashës në botë dhe, në radhë të parë, Bashkimi Sovjetik».

 (Këtu të propagandoni në shkallë të gjerë Bashkimin Sovjetik, ofensivën e tij të shkëlqyer dhe dërgimin në Algjer të Vishinskit, i cili do të bëjë pjesë në komisionin e zbatimit të armëpushimit me Italinë dhe do të ndihmojë në zbatimin e vetëvendosjes së çdo populli që çlirohet nga okupatori). Të demaskohen njerëzit që kanë firmuar këtë trakt, si Fiqiri Dinja e të tjerë, të cilët deri dje kanë bërë lodrën e armikut, kurse tani, që po u afrohet ora e drejtësisë, kërkojnë të gjejnë një strehë, ku të fshehin poshtërsitë e tyre dhe, sigurisht, këtë strehë nuk mund ta gjejnë veçse në një parti të falimentuar si ajo e Zogut. Sa për Bazin e Canës, ju mund të thoni vetëm që ai me këtë trakt tregoi me të vërtetë qëllimet e tij, të cilat janë jashtë direktivave të Frontit Nacionalçlirimtar.

Deri tani ai s’ka hedhur asnjë pushkë kundër okupatorit. Trakti, në të cilin figuron edhe emri i tij, bën objektivisht lodrën e okupatorit, sepse hedh në shesh çështjen e regjimit dhe kërkon që këtë regjim t’ia imponojë popullit nga lart, kurse tani është momenti të luftojmë okupatorin që kemi brenda; sa për regjimin, atë do ta zgjedhë vetë populli dhe askush tjetër. Ju, pra, duhet ta kuptoni mirë se si duhet të veproni, sepse kjo është një çështje shumë delikate, nga e cila mund të përfitojmë shumë, por edhe të humbasim. Duhet të mos harroni se në këtë mes mund të ketë gisht edhe armiku, i cili kërkon të mbjellë diversione dhe luftën tonë ta drejtojë kundër njëri-tjetrit, domethënë që ne të harrojmë luftën kundër gjermanëve dhe ta drejtojmë gjithë aktivitetin tonë kundër shoqi-shoqit dhe kundër partive të ndryshme; prandaj për ne mbetet kurdoherë si objektiv kryesor lufta kundër okupatorit dhe, krahas me këtë, lufta kundër tradhtarëve në soldën e Gestapos, lufta kundër reaksionit, që përpiqet të grumbullohet në Ballin dhe në parti të tjera si ajo e Zogut.

Të veproni në një mënyrë që populli ta shohë haptazi se shpëtimi i tij, si nga okupatori, ashtu edhe nga çdo armik i brendshëm që kërkon të sjellë përsëri ditët e zeza, është vetëm Lufta Nacionalçlirimtare, këshillat Nacionalçlirimtare dhe Ushtria nacionalçlirimtare, se për të përmbushur dëshirat e tij, ai duhet të luftojë pa mëshirë okupatorin, tradhtarët, dhe çdo pati që përpiqet ta sabotojë luftën tonë, duhet të grumbullohet rreth këshillave, të forcojë ushtrinë e tij, Ushtrinë Nacionalçlirimtare. Demaskimi i partisë zogiste të bëhet progresivisht, pa u shpejtuar, në mënyrë që të mos bjerë si bombë dhe populli të mos mendojë vetëm për rrezikun zogist. Kini durim, se çështja e Zogut do të na preokupojë edhe pak, dhe do të kemi rast që t’ia heqim fare petën byrekut, bile fare shpejt. Pse ndodh një gjë, si e marrim vesh jozyrtarisht, që ky trakt është hedhur pa lejën e Bazit të Canës (gjë që se besojmë) dhe që ky do ta përgënjeshtrojë, duke treguar se është besnik i lëvizjes nacionalçlirimtare.

Sidoqoftë ne s’na pengon asgjë që të godasim një gjë që hidhet në popull dhe që e këndon populli. Nga ana tjetër, do të shohim shpejt qëndrimin e Bazit, pse, sigurisht, Këshilli i Përgjithshëm Nacionalçlirimtar do t’i kërkojë hesap. Bashkëngjitur po ju vëmë edhe një kopje të këtij trakti, dhe në bazë të këtij, në bazë të udhëzimeve që ju japim më lart, duke mos harruar asnjë minutë objektivin kryesor, demaskojeni edhe në rrethin e Gjirokastrës, kështu populli të shohë se ne jemi me të vërtetë mbrojtësit e të drejtave të tij.

Sigurisht, Balli s’do të mbajë qëndrim dhe kjo do të jetë një fitim për ne. Për këtë trakt këndoni edhe «Zërin e Popullit» të ardhshëm dhe i lexoni artikujt jo veresie, por si artikuj ku jepen direktivat e punës. Ndër artikujt e «Zërit» dhe të «Bashkimit» ju do të shihni direktivat e partisë sonë dhe ato të Këshillit nacionalçlirimtar.

Ju rekomandojmë, në radhë të parë, të kini kujdesin më të madh për Ali bej Këlcyrën, ai element aq i poshtër nuk duhet të egzistojë më.

Duhet tani, që jeni në një qytet të lirë, të forconi radhët e Partisë dhe këto t’i ngrini politikisht, të mbani çdo ditë konferenca e mitingje të gjera të popullit, të rinisë dh të gruas antifashiste, të organizohen klube, ku te mblidhet populli dhe t’i jepet çdo këshillë që i shërben luftës sonë.

Të na mbani në korent për çdo gjë që ngjet andej dhe për çdo ndihmë që mund t’ju japim. Për çdo gjë që s’mund ta zgjidhni dot, na lajmëroni me urgjencë. Këndej do t’ju mbajmë në korent për çdo gjë që ngjet e që duhet dhe ju andej të mbani një qëndrim politik.

Të fala shoqërore

Për Komitetin Qendror të Partisë

Shpati

***

Burimi: Vox News