Sport Letra mallëngjyese: Lëre skuadrën tënde të humbë! Klop i përgjigjet tifozit të...

Letra mallëngjyese: Lëre skuadrën tënde të humbë! Klop i përgjigjet tifozit të vogël të Mançesterit

Jurgen Klop është një maestro i vërtet edhe në marrëdhëniet njerëzore, jo vetëm në fushën e futbollit. Trajneri gjerman i Liverpulit ka marrë një letër nga një tifoz i Mançester Junajtid, Daragh Curley, i cili i ankohej se “Të kuqtë” po fitojnë shumë ndeshje. “Të lutem, lëre skuadrën tënde të humbë”, – shkruan djaloshi 10-vjeçar.

Dhe Klop i është përgjigjur si një zotëri: “Më vjen keq, por nuk mund ta plotësoj kërkesën tënde. Puna ime është ta bëj Liverpulin të fitojë. Ke një pasion të madh për futbollin dhe Mançester Junajtid është me fat që ka një tifoz si ty. Shpresoj të të mos të vijë shumë keq, nëse fitojmë ndeshje të tjera dhe trofe të tjerë”, shkruan trajneri gjerman.

Daragh, tifozi 10-vjeçar i Mançester Junajtid

Letra e Daragh

“I dashur Jurgen Klop, quhem Daragh dhe jam 10 vjeç. Jam tifoz i Mançester Junajtid dhe po të shkruaj për t’u ankuar. Liverpuli po fiton shumë ndeshje dhe nëse fitoni edhe 9 të tjera, do të vendosni rekordin e pathyeshmërisë në futbollin anglez. Duke qenë tifoz i Mançester Junajtid, për mua është diçka e trishtë, kështu që kur të luajë Liverpuli, të lutem, lëre të humbë. Duhet vetëm ta lini kundërshtarin të shënojë. Shpresoj të të kem bindur për të mos fituar kampionatin dhe asnjë ndeshje tjetër”, shkruan tifozi i Mançesterit në letrën drejtuar trajnerit Klop.

Përgjigja e Klop

“I dashur Daragh, para së gjithash dua të të falënderoj që më ke shkruar. E di që nuk më ke uruar të kem shumë fat, apo diçka të tillë, por për mua është gjithmonë bukur të më shkruajë një tifoz i vogël futbolli. Për fat të keq, këtë herë nuk mund ta plotësoj dëshirën, jo për zgjedhjen time. Ti dëshiron që Liverpuli të humbë, ndërsa detyra ime është që ta bëj të fitojë dhe këtë gjë e duan shumë të tjerë, ndaj nuk dua t’i zhgënjej. Kemi humbur ndeshje në të kaluarën dhe do të humbin të tjera në të ardhmen.

Kur je 10 vjeç, mendon se gjërat do të jenë gjithmonë ashtu, por unë jam 52 dhe mund të të them që nuk është asnjëherë kështu. Pasi lexova letrën tënde mund të them se ajo që nuk do të ndryshojë është pasioni që ke për futbollin dhe për skuadrën tënde. Mançester Junajtid është me fat që ka një tifoz si ty. Edhe pse skuadrat tona janë rivale, kemi respekt për njëri-tjetrin. Ky është futbolli për mua”.