Sport Lewandowski: Pse do ia jepja vetes “Topin e Artë”

Lewandowski: Pse do ia jepja vetes “Topin e Artë”

Në një intervistë të dhënë për gazetën polake “Sport Onet”, Robert Lewandowski, kur u pyet se kush do ta kishte fituar “Topin e Artë” nëse do të jepej këtë vit, nuk la asnjë dyshim në përgjigjen e tij:

“Unë. Ne kemi fituar gjithçka që ka qenë e mundur. Unë isha ai që shënova më shumë në të gjitha garat. Mendoj se, nëse një lojtar arrin të shënojë kaq shumë dhe fiton të gjithë trofetë, e meriton këtë çmim”.

Megjithatë, vendimi i “France Football” për ta anuluar këtë vit dhënien e çmimit me arsyetimin se kushtet e krijuara nga pandemia e kushtëzonin garën, nuk ia ka prishur humorin 31-vjeçarit: “Nuk e mendoj shumë. Doja Ligën e Kampionëve, ishte përparësia ime, dhe unë e fitova”.

Gjatë intervistës, Lewandowski iu rikthye disa momenteve vendimtare të sezonit:

“Para ndeshjes kundër Barcelonës, ne e dinim se do të fitonim. Kishte aq shumë besim saqë dikush po fliste për një 5-1 për ne. Pastaj erdhi suksesi 8-2. … Gnabry dhe Kimmich, para se të niste ndeshja, nuk më pyetën nëse do ta fitonim takimin, por nëse do ta ngrinim kupën. Unë u përgjigja po.”

Lewandowski gjithashtu foli për interesimin e Real Madridit gjatë viteve e fundit:

“Gjatë asaj periudhe ndjeva shumë mbështetje nga Bayerni dhe vendosa t’i besoja projektit të klubit“.