Aktualitet Libri “Komuniteti” i autorit Isidor Koti, prurje e re në literaturën socilogjike...

Libri “Komuniteti” i autorit Isidor Koti, prurje e re në literaturën socilogjike shqiptare

Nga Gëzim TUSHI*

Libri “Komuniteti – Teori dhe praktika bashkëkohore” i Dr. Isidor Kotit është padyshim një prurje e re në literaturën sociologjike dhe besoj pa e tepruar edhe një mbushje e vakuumit që ka literatura sociologjike në gjuhën shqipe. Autori ka bërë një punë shumë interesante për ta vënë në fokusin e studimit të vet, problemin e strukturës, funksionimit të komunitetit dhe vlerën dhe rolin e ndjenjës komunitare, si faktorë kohezivë në shoqërinë postmoderne. Jo pa qëllim autori i ka dhënë librit të vet një natyrë dikotomike, duke synuar që ai të shpërfaqë vlera të integruara për njerëzit profesionistë, por dhe për publikun e gjerë. Kjo ka bërë që të këtë një raport të drejtë midis informacionit rreptësisht akademik (që zë pjesën qëndrore) të librit me analiza, fakte e komente që e afrojnë lëndën akademike me nevojat e realitetit social.

Mesazhi qëndror i librit është se aspirata komunitare nuk është thjesht dëshirë individuale, luks i tepërt, apo organizim social i panevojshëm. Përkundrazi, kjo çështje është primordiale, me shumë vlerë dhe e paneglizhueshme, pikërisht tani në momentet kur ne jemi në fazën intensive të ndërtimit të qytetërimit tonë postmodern.

Unë besoj se libri ka vlera edhe për një arsye më të “ngushtë” dhe që ndihmon shoqërinë për të patur koncepte më të drejta për “komunitetin” dhe “komunitarizmin”, si kusht ekzistencial teorik dhe praktik për të bërë vlerësimin me realizëm të thelbit të ndryshimeve që kanë ndodhur në shoqërinë shqiptare. Sidomos në marrëdhëniet sociale të njeriut me veten dhe shoqërinë. Libri në këtë aspekt na ndihmon që të kuptojmë më mirë dhe të pranojmë të vërtetën e qartë, që tani shoqëria jonë më shumë se kurrë ka nevojë për këto ide që trajtohen në shtatë kapitujt e librit, sepse në mënyrë evidente duket se ajo është në fazën më delikate të shfaqjes së krizës së ekzistencës së organizimeve të jetës sociale dhe vështirësive të shumta të ndërtimit të marrëdhënieve komunitare. Libri “Komuniteti – Teori dhe praktika bashkëkohore” duhet vlerësuar si punë serioze e autorit, me rëndësi sociologjike, sepse ai të mëson por dhe të “detyron” të mendosh, se çfarë duhet bërë dhe si duhet ecur për të garantuar ekzistencën, bashkëveprimin dhe funksionimin e komuniteteve, ruajtjen e domosdoshme të parametrave të duhur të jetës dhe ndjenjës komunitare. Në këtë kontekst duket se autori është nisur nga imperativi social se cështjet e komunitetit dhe marrëdhënieve komunitare, po bëhen çështje me rëndësi të jetës moderne, sepse “komuniteti është substancë e shoqërisë që patjetër duhet mbrojtur”. (Robert Nisbet)

Trajtimi i kësaj teme është delikate, sepse ne nuk kemi shumë kohë historike që kemi dalë nga parametrat e “shoqërisë së turmës”, nga paradigmat e vjetra të komunitetit supersocial të së kaluarës, që ishte dhe është i pavlerë, i papërshtatshëm si tipologji marrëdhëniesh për kohën moderne.

Në këtë optikë mendoj se libri na ndihmon pikërisht në momentin kur kemi “shkatërruar” atë tipologji komunitarizmi, por nuk jemi duke kërkuar ndërtimin e një tipologjie të re komuniteti duke vënë në funksion marrëdhënie të reja komunitare midis njerëzve me njëri-tjetrin, midis tyre dhe shoqërisë si tërësi sociale. Erozioni i modelit të vjetër të komunitarizmit në shoqërinë shqiptare është është i thellë, tronditës. Goditjet antikomunitariste dhe individualiste në shoqërinë tonë kohët e fundit kanë qënë të thella, gati shkatërruese. Kjo betejë e individualizmit si ndjenjë e kohës moderne dhe mënyrë jetese e pëlqyer nga shqiptarët e kohës sonë, i ka nxjerrë rrënjët ontologjike çdo koncepti kolektivist dhe ideje të ekzagjeruar komunitariste. Autori në mënyrë direkte dhe të tërthortë sfidon mënyrat kolektiviste të ndërtimit të jetës, organizimet komunitariste të jetës private, që për shqiptarët e kohës postmoderne janë bërë tejet alergjike. Por nga ana tjetër idetë e librit “komuniteti” na krijojnë një lloj të ri të bindjes sociale modern se  “vetëm nuk jetohet”, se komuniteti duhet patjetër të mbështetet në një minimum kohezioni shoqëror, social, komunitar dhe kulturor.

Në këto rrethana, autori synon të shfaqë para lexuesit dhe opinionit publik nevojën e rindërtimit të komunitetit dhe lidhjeve komunitare. Por këtë ai e bën duke patur parasysh faktin që jemi në një epokë të re dhe marrëdhëniet e njeriut me “veten”, të “tjerët” dhe shoqërinë, janë duke u ngritur mbi një bazë të re sociale.

Autori injekton një lloj optimizmi që tregon se megjithë turbulencat që kanë pësuar strukturat komunitare dhe funksionimi i ndjenjës komunitariste, nuk mund të rrëzohet ideja e nevojës së komunitarizmit dhe vlera e padyshimtë e organizimeve komunitare në jetën tonë. Autori ka meritë për evidentimin e bazës filozofike dhe sociologjike të idesë së tij, duke u mbështetur në evolucionin e konceptit në kohë të ndryshme, e deri tek idetë e filozofëve dhe sociologëve të kohës sonë. Kjo ka bërë që në këtë libër autori ka gjetur një kompromis që rregullon marrëdhënien e tendencës dominante të theksimit prioritar të aksentimit të individualizmit si shprehja më madhore e lirisë, por pa mohuar të vërtetën, që ne jemi dhe mbetemi “qënie sociale” me natyrë komunitare.

Unë besoj se libri ka rëndësi pikërisht tani kur ne si shoqëri kemi nevojë për ide, rrugë e metoda efikase për të rindërtuar komunitetet e reja, duke sjellë një model të ri të “ndjenjës komunitare”.  Në këtë pikë autori bën një penetrim të zgjeruar të gjitha formave të ndërtimit të komuniteteve dhe lidhjeve komunitare.

Komunitetet qytetare të kohës sonë janë “lidhje utilitare” me qëllime sociale, me natyrë pragmatiste, që nuk duhet të pengojnë individin në rrugën e vet, në emër të idesë që t’i shërbejmë kërkesave të jetës sociale. Sepse krijimi komuniteteve dhe mbrojtja e ndjenjës normale, të natyrshme të lidhjeve sociale dhe komunitarizmit është bërë akoma më i rëndësishëm sepse siç po duket, nuk ka rrugë tjetër veçse duke qenë së bashku (jo në kuptimin mekanik) mund të përballojmë rreziqet e natyrshme të jetës moderne, sfidat pa fund të modernitetit.

Në mënyrë të shkëlqyer, ndryshimin e tipologjisë së komuniteteve moderne dhe të zhvillimit të lidhjeve komunitare midis njerëzve në shoqërinë moderne, e ka shprehur filozofi spanjoll Ortegay Gasset, sipas të cilit “Qëniet njerëzore nuk bashkohen për të qënë bashkë; ato bashkohen për të bërë diçka së bashku”. (Robert Nisbet, “Konservatorizmi”, fq. 10)

Në këtë kontekst ngul këmbë dhe vlerëson rolin që pritet nga organizimet e reja të jetës komunitare, qoftë me natyrë kulturore, fetare, morale, të traditës, organizimet profesionale, rrjeti i zgjeruar i O.J.F.-ve, strukturat e mbështetjes sociale, të ndihmës dhe organizimet e shumta vullnetare, etj.

“Komuniteti – Teori dhe praktika bashkëkohore”, përveç vlerave dhe natyrës akademike ka synimin të ndihmojë një masë të gjerë të njerëzve tanë që kuptojnë më mirë vlerën që ka komuniteti, ndjenja dhe organizimet komunitare në realizimin e standarteve moderne të qytetërimit tonë. Sepse pavarësisht ndryshimeve që kanë ndodhur, edhe pse u larguam nga komunitetet me natyrë dhe thelb konservator dhe penguese të progresit të shoqërisë dhe të individit, përsëri ka ardhur momenti, kur duhet t’i themi njëri-tjetrit dhe shoqërisë tonë të vërtetën, se në kushtet e shoqërisë moderne “komuniteti është dhe mbetet substanca e shoqërisë”. Kjo është në një farë mënyre edhe kuintesenca e librit. Duke qenë analog me teorinë konceptuale, por dhe të vertetat empirike të realitetit tonë social, libri ka një “lëndë të gjerë” që sqaron pothuaj në mënyrë shteruese këtë temë, madje edhe duke ndihmuar për të shpërndarë “retë” e konfuzionit të njëanshëm individualist apo komunitarist.

Ideja me rëndësi e librit është se komunitarizmi është ndjenjë pozitive që ndihmon individin të integrohet në grupet themelore të jetës dhe organizimit social, në forma të tilla si familja, shkolla, institucionet fetare, organizatat e shumta të shoqërisë civile, organizimet e miqësisë dhe fqinjësisë komunitare, e deri tek nevoja e pashmangshme për të rindërtuar modalitetet e bashkëjetesës së “identiteteve kolektive”. Ideja që duhet të ngulitim tek njerëzit tanë se “Komunitarizmi nuk është detyrimisht kundërshtim i modernitetit, por një rivendikim për të jetuar pa harruar gjurmët e kujtesës dhe ato të njëmijë e një ritualeve të jetës që u lejon veçanërisht të rinjve të ruajnë lidhjen me historinë”. (D. Wolton, “Të shpëtojmë komunikimin”, fq. 146)

Ndërkaq është këmbëngulës autori në transmetimin e idesë se çdo njeri në kohën e sotme ka qëllimet e veta dhe ingranohet në organizimet komunitare sipas interesave të tij. Në këtë kuptim objektivat e jetës komunitare dhe instrumentet e çdo njeriu për t’i realizuar qëllimet komunitare nuk janë të njëjta. Komuniteti qytetar nuk është si komuniteti tradicional, në të cilën njeriu ka detyrë të përfshihet  i detyruar, pa patur të drejtën që të zgjedhë komunitetin që i pëlqen, apo që i përshtatet interesave të tij të veçanta.

Autori evidenton qartazi idenë se si asnjëherë më parë ka nevojë urgjente për ndërtimin e konceptit “komunikim komunitar”, si mënyra adekuate për harmonizimin në shoqërinë shqiptare të disa nevojave dhe dëshirave të përbashkëta qytetare, që përbëjnë bazën e socialitetit modern dhe që ka mundësi që t’i bashkojë njerëzit tanë në komunitete të veçanta, duke i vënë në angazhimin e tyre qytetar, duke i “lidhur” natyrshëm në veprime solidare komunitareske. Përmes lidhjes dhe komunikimit ka mundësi që qytetarisht dëshirat e përbashkëta për të “mirën publike” të shoqërisë tonë në përgjithësi, por dhe tonën veç e veç si qytetar, ta transmetojmë si mesazh të jetës publike të përbashkët nga njëri tek tjetri.

Kjo përbën atë “tutkall social” që ka mundësi të mbajë të ndezuar ndjenjën sociale dhe veprimin e sinkronizuar komunitar të qytetarëve tanë. Ky është mekanizmi që krijon mendime, dëshira dhe qëllime komunitare, që praktikisht mund t’i lidhë njerëzit midis tyre, duke i bërë të ndërgjegjshëm për dobinë e veprimit të përbashkët, për vlerën e pazëvendësueshme të aksionit qytetar të komunitarizuar (nuk është fjala për punë vullnetare, boll me këto koncepte sempliste mediokre, që përdoren për të trembur njerëzit e vegjël, që akoma nuk janë bërë qytetarë).

Ky është mekanizmi për të ndërtuar atë, që në sociologjinë e komunitetit, konsiderohet si mënyrë e sigurimit të lidhjes së përbashkët midis njerëzve, përmes ndërtimit të komunitetit dhe funksionimit të interesave dhe përpjekjeve të përbashkëta qytetare. Kjo është një mënyrë për të korrigjuar situatën sociale në shoqërinë shqiptare, të cilës i janë dobësuar “instrumentet” e komunikimit social dhe komunitar, modulet e jetës së qytetëruar, mekanizmat e lidhjes dhe veprimit komunitar, të cilat duhet të jenë të shprehura në formën e “vullnetit të përgjithshëm”, të “ndërgjegjies shoqërore”, të cilat siç po duket dhe siç po tregon përvoja e vendeve me demokraci të konsoliduar, edhe në kushtet e jetës moderne nuk janë të tepërta. Më duket se është me shumë vlerë përcaktimi i Xhon Djuit se “Një komunitet përfaqëson…një rend energjish …që vlerësohen dhe merren si pikë referimi nga secili prej atyre të tjerëve të angazhuar në veprimin e kombinuar”. (Xhon Djui, “Publiku dhe problemet e tij” f.148-149)

Libri ka një sasi të madhe idesh, informacioni, përkufizime e definicione që janë të dobishme. Jo vetëm në rrafshin teorik por dhe për qëllime empirike e utilitare. Autori Isidor Koti e ka bërë detyrën e vet. Tani i mbetet rradha lexuesit që të thotë fjalën për vlerat e padiskuteshme të tij!

*Sociolog, Mjeshtër i MADH