Aktualitet Lirimi i Endrit Dokles/ Rama sulmon gjyqtaren e “organizatës KÇK”

Lirimi i Endrit Dokles/ Rama sulmon gjyqtaren e “organizatës KÇK”

Kryeministri Edi Rama ka sulmuar gjyqtaren e Krujës Enkeleida Hoxha e cila dy ditë më parë mori vendimin që të nxjerrë nga qelia me kusht Endrit Doklen, i dënuar me burgim të përjetshëm për një sërë krimesh.

Në një konferencë me Komisionerin për Zgjerim të BE-së, Olivér Várhelyi, si pjesë e reformave dhe detyrave që Shqipëria po plotëson për ecurinë e mëtejshme të procesit të integrimit europian, Rama tha se është edhe lufta kundër atyre gjykatësve që i përkasin organizatës që ai e quan “KÇK”, duke iu referuar rastit më të freskët të lirimit të Endrit Dokles.

“E kam informuar komisionerin për të gjithë ecurinë e proceseve. E kam informuar edhe për iniciativën e re që do të aktivizojnë në ditët në vijim. Jemi duke përfunduar edhe ekspertizën ndërkombëtare për të hapur një ofensive shembullore ndaj eksponentëve të krimit të organizuar, si dhe ndaj atyre gjykatësve dhe prokurorëve, si në rastin e para dy ditëve, i përkasin organizatës KÇK dhe po e përdorin autoritetin e tyre në këtë fazë të ndërmjetme për të bashkëpunuar hapur me krimin”, tha Rama.

Endrit Dokle, i dënuar me burgim të përjetshëm për një sërë krimesh, përfshirë vrasje dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale pritet të lirohet nga burgu me kusht.

Gjyqtarja e Gjykatës së Shkallës së Parë në Krujë, Enkeleida Hoxha, vendosi lirimin nga qelitë të tij pas disa vendimeve të mëparshme që i kishin krijuar lehtësira Dokles.