Bota Lirimi i ish-policit serb, indinjohet Albin Kurti: Kush e liroi të akuzuarin...

Lirimi i ish-policit serb, indinjohet Albin Kurti: Kush e liroi të akuzuarin për terrorizëm?

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar i indinjuar për vendimin e Gjykatës për të ndryshuar masën e sigurisë nga “arrest me burg” në “arrest shtëpie” për Dejan Pantiç.

Kreu i qeverisë shprehu habinë se kush është ai prokuror dhe gjykatës që lanë të lirë një person të akuzuar për terrorizëm.

“Unë nuk e di këtë çështjen gjyqësore, procedurale të atij që është i pandehur dhe mbahet në Jarinje për shkak se nuk mund të dërgohej në burg zyrtar. Ai e ka statusin e të paraburgosurit, por njëkohësisht është i pandehur për terrorizëm. Ishte në grevë urie dhe kishte probleme në zemër, mund të dërgohej në spital, a është e arsyeshme e vendos gjyqësori, por kur kemi akuzë për terrorizëm, të dërgohesh në arrest shtëpiak, unë jam shumë kureshtar ta di se cili është ai prokuror që bën këtë kërkesë, dhe cili është ai gjyqtar që e aprovon”, tha Kurti.

Dejan Pantiç është një ish-efektiv serb i policisë së Kosovës, i cili u arrestua për një sulm ndaj një objekti të KQZ në veri. Arrestimi i tij solli reagimin e serbëve dhe ngritjen e barrikadave të cilat vijojnë të bllokojnë qarkullimin e lirë prej datës 10 dhjetor.