Bota Lirohet atentatori i ish-presidentit të SHBA, Ronald Reagan

Lirohet atentatori i ish-presidentit të SHBA, Ronald Reagan

John Hinckley, personi që la të plagosur ish-presidentin amerikan Ronald Reagan dhe tre persona të tjerë në tentativën e vrasjes të vitit 1981, do të fitojë lirinë.

Ka qenë një gjyqtar i Rajonit të Kolumbisë që ka deklaruar se do të garantojë lirimin e Hinckley.

Në vitin 2016, gjyqtari Paul Friedman lejoi atentatorin të lëvizte jashtë spitalit psikiatrik të Uashingtonit, ku ai kishte qëndruar për tre dekada, por vendosi kufizime në lëvizjet e tij dhe në përdorimin e internetit.

Në një seancë gjyqësore të mbajtur të hënën, Friedman njoftoi se do t’i hiqte edhe kufizimet e mbetura, për ta bërë lirimin e tij të plotë.

Sipas zyrtarit të lartë, problemet mendore të Hinckley po lehtësohen dhe ai nuk përbën më rrezik.

Një prokurore federale tha gjatë seancës se Departamenti i Drejtësisë pranon që atentatori të marrë lirinë, por argumentoi se kufizimet nuk duhet të hiqen deri në qershorin e vitit 2022, në mënyrë që hetuesit të vazhdojnë monitorimin e tranzicionit të jetës së tij.

Reagan mori plagë në mushkëri gjatë tentativës për vrasje, por u rikuperua shpejt. Persona të tjerë që mbetën të plagosur bashkë me të janë zëdhënësi i atëhershëm i Shtëpisë së Bardhë, James Brady, agjenti i shërbimeve sekrete Timothy McCarthy dhe oficeri i policisë së Uashingtonit, Thomas Delahanty.

Hinckley u shpall i pafajshëm për shkak të paqëndrueshmërisë së tij mendore në procesin e vitit 1982, vendim që shtyu Kongresin dhe disa shtete amerikane të ndërmerrnin ligje që kufizonin mbrojtjen me argumentin e problemeve mendore.