Bota Londra dhe Roma përfshihen në protesta kundër masave të reja

Londra dhe Roma përfshihen në protesta kundër masave të reja

Gjate protestave ne Rome

Europa është përfshirë nga një valë protestash për shkak të masave të marra për koronavirusin. Së fundmi tubime ka pasur edhe në Londër të Britanisë së Madhe.

Turma të mëdha njerëzish u mblodhën jashtë Pallatit Buckingahm. Disa prej protestuesve mbanin parulla si “Liri” dhe “Fund tiranisë” duke mohuar në këtë mënyrë kufizimet për Covid-19.

Policia Metropolitane tha se gjithsej janë arrestuar 18 vetë. Mediat kanë raportuar edhe për disa lëndime të vogla për disa oficerë. BBC shkruan se arrestimet u kryen për shkak të thyerjes së rregullave të koronavirusit.

Kryeqyteti britanik është vendosur nën kufizime më herët gjatë kësaj jave. Protesta për shkak të masave ka pasur edhe në Itali.

Të premten qytetarët në Napoli kanë mbushur rrugët dhe kanë protestuar kundër masave të reja. Nën parullën “liri, dinjitet, punësim”, qytetarët kanë kundërshtuar mbylljen e qytetit në orët e caktuara nga qeveria.

Pas trazirave dhe përleshjeve në Napoli, protestat kundër masave shtrënguese të qeverisë për të parandaluar përhapjen e pandemisë u transferuan në Romë.

Mijëra njerëz u grumbulluan të shtunën në darkë në “Sheshin e Popullit”, në qendër të kryeqendrës italiane për të protestuar kundër masave anti-Covid dhe ndalimit të qarkullimit, ndërsa u regjistruan dhe përplasjet me forcat e rendit, kur këta të fundit iu kërkuan të pranishmëve që të largoheshin për në shtëpi. Në drejtim të policisë u hodhën fishekzjarrë dhe sende të forta, ndërkohë që kjo e fundit u kundërpërgjigj me gaz lotsjellës. Dhjetëra persona u arrestuan.

Manifestuesit më pas u zhvendosën në një shesh tjetër duke thërritur “Thuaji jo diktaturës sanitare” gjatë marshimit të tyre.