Presidenti francez, Emmanuel Macron ka paralajmëruar Europën se po shkon drejt një gremine në kushtet kur aleanca e Atlantikut të Veriut, sipas tij po përjeton vdekje të trurit.
Në një intervistë për prestigjiozen, “The Economist”, shefi i “Elysee”, thekson se vendet europiane duhet të mendojnë urgjentisht për një zgjidhje strategjike nëse nuk duan të humbasin kontrollin e fatit të tyre.
“Ajo që ne po përjetojmë tani është vdekja e trurit të NATO-s. Vendet europiane nuk mund të mbështeten më tek Amerika për të mbrojtur aleatët e aleancës. Nuk ka aspak koordinim të vendimmarrjes strategjike midis Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të NATO-s. Përkundrazi po përballemi me një veprim agresiv të pakoordinuar nga një aleat tjetër, Turqia, në një zonë ku interesat tona janë në rrezik”, tha Macron.
Presidenti francez gjithashtu ka shprehur dyshime për efektivitetin e nenit 5 të traktatit të NATO-s sipas të cilit, një “sulm ndaj një anëtari është sulm ndaj të gjithëve“.
“Europa duhet të fillojë të mendojë dhe të veprojë jo vetëm si një grupim ekonomik, projekti kryesor i të cilit është zgjerimi i tregut, por si një fuqi strategjike. Kjo duhet të fillojë me rifitimin e sovranitetit ushtarak,dhe rihapjen e një dialogu me Rusinë, pavarësisht dyshimit nga Polonia dhe vendet e tjera që dikur ishin nën sundimin sovjetik. Mosarritja e kësaj, do të ishte një ‘gabim i madh’”, theksoi Macron.
Presidenti Macron ka nënvizuar se Bashkimi Europian dhe vendet perëndimore duhet të rishikojnë rolet e tyre në botë dhe të përshtaten me realitetet e reja globale.
Më herët, në muajin gusht Macron ka deklaruar se hegjemonia perëndimore ka mbaruar dhe se do të ishte gabim të përpiqesh të izolosh Rusinë.