Politika Malaj: A do të jetë efiçente kjo qeveri? Ja sfidat…

Malaj: A do të jetë efiçente kjo qeveri? Ja sfidat…

Ish-ministri i Financave, Arben Malaj, i ftuar në rubrikën “Opinion” në News24, teksa ka folur për strukturën dhe objektivat e qeverisë së re, si dhe ndikimin në ekonominë e vendit, ka thënë se është koha e cila do të tregojë premtimet e dhëna. Sipas tij, duhen testuar premtimet e Ramës, dhe efektet do të jepen tek ekonomia. Ndër të tjera ai deklaroi se vendi ynë ka pësuar rritje ekonomike, por ka pasur thellim pabarazie midis shtresave.

“Një qeveri konsiderohet e madhe ose e vogël në raport me atë që prodhon ekonomia. Qeveria shqiptare vazhdon të jetë e vogël dhe mendojmë se përmasat e saj do të vijnë duke u rritur, që të plotësojë shërbimet publike. Debati që shtrohet është a do të jetë efiçente kjo qeveri. Rigrupimi i ministrive, agjencive publike, inspektoriateve, një qeveri duhet të jetë e vogël në ndërhyrjen e saj në biznes. Duhet të ndërhyjë sa më pak dhe të krijojë sa më shumë kushte për biznesin. Kryeministri ka premtuar qeveri me ndërhyrje të vogla, dhe kjo duhet testuar. Do shihet sa ulet papunësia, varfëria, sa rriten barazitë e mundësive për të qenë të suksesshëm”.

I pyetur nëse qeveria Rama, e mandatit të parë, ishte jo-eficente, Malaj tha se Shqipëria ka akoma shumë punë, për të arritur një qeverisje sa më funksionale.

“Rritja ekonomike kurrë nuk mjafton. Kemi pasur rritje ekonomike, por kemi pasur thellim pabarazie. Kanë shkuar paratë vetëm në disa duar. Duhet të dalim nga përqindjet, nuk është vetëm rritja ekonomike. Ka dhe indikatorë të tjerë. E rëndësishme është që njerëzit të mos mbesin pa punë, se rritet dhe pakënaqësia, që ndikon në shoqëri”, tha Malaj.

Sipas tij, qeveria “Rama 2” me këto objektiva ka shumë mundësi ta ulë varfërinë, por sfida qëndron tek implementimi.

Në lidhje me shkrirjen e ministrive, asaj të Financës dhe Ekonomisë, Arben Malaj tha se një bashkim i tillë gjendet tek vendet e zhvilluara.

“Bashkimi i Financave me Ekonominë gjendet tek vendet e zhvilluara. Në disa vende, Ministria e Ekonomisë nënkupton biznesin, nxitja e tregtisë së lirë, pra ka një kuptim që janë bashkë. Është ministri e madhe, duhet dalluar dhe punësimi. Sfida është me kohën, se qeveria mandatohet për 4 vite, duhet parë se sa kohë i duhet që të bëhet efektiv një mekanizëm i tillë”.