Aktualitet Manastirliu tregon skenarin e katërt: Një spital tjetër për të infektuarit me...

Manastirliu tregon skenarin e katërt: Një spital tjetër për të infektuarit me nevoja bazike

Qeveria ka menduar që në dispozicion të personave të sëmurë me COVID-19 të vihet edhe një spital i katërt.

Ministrja Ogerta Manastirliu u shpreh këtë të mërkurë gjatë një mbledhje online mes disa ministrave dhe kryeministrit se është vlerësuar deri më tani një objekt.

Sipas saj, ndërtesa do të kthehet në strukturë spitalore bazë. Ajo theksoi se qëllimi është që në të marrin shërbim bazë mjekimi personat e infektuar që kanë simptoma.

Këtë rast, ministrja e cilësoi si një skenar të katërt dhe u shpreh se brenda 20 ditëve do të nisë puna për të filluar rehabilitimin e tij.

Edi Rama: Doja ta merrja vesh si ka vajtur sot lidhur me opsionin për të hapur spitalin e ri shumë shpejt? Keni filluar sot kontakte?

Ogerta Manastirliu: Kemi bërë një vlerësim në një objekt, të cilin po e shqyrtojmë për ta kthyer në një strukturë spitalore bazë, për ata pacientë që do të kenë nevojë të trajtimit jo specialistik, por po flasim për ata që duhet të kenë një hospitalizim dhe do të kenë nevojë për terapi bazë mjekimi. Jemi duke vlerësuar këtë opsion, kemi bërë një investigim në vendin ku vlerësojmë që do të jetë ky objekt. Shumë shpejt vlerësojmë që do t’i nënshtrohet një rehabilitimi dhe testimi të nevojave bazë me mobilimet spitalore dhe aparaturat. Ky është një skenar që e konsiderojmë si skenar të katërt në rendin e skenarëve që projektojmë ku spitali i parë COVID që ka 120 shtretër, më pas shumë shpejt hapim spitalin e dytë që është “Shefqet Ndroqi”, më pas struktura në QSUT dhe sigurisht do të ketë një strukturë spital-karantinë, apo spital i nevojave bazike për të gjithë të sëmurët simptomatikë që kanë nevojë për kujdes.