Bëhet fjalë për zhvendosjen më të madhe të trupave amerikane në Europë që prej 25 vitesh. 20.000 ushtarë amerikanë, tanke e kamionë ushtarakë do të kalojnë mes përmes Europës deri në krahun lindor të NATO-s.
Lisa Hänel*
Kur të fillojë në fund të janarit manovra më e madhe amerikane bashkë me NATO-n, që prej 25 vitesh do të kalojnë nëpër Europë dhjetëra mijëra ushtarë, tanke, dhe pajisje të tjera drejt krahut lindor të NATO-s. Manovra njihet me emrin “Defender Europe 2020”, shkurt “Defender20”. 20.000 ushtarë amerikane do të mbërrijnë në Francë, Belgjikë, Holandë dhe Gjermani dhe pas kësaj ata do të përshkojnë Europën me tanke e kamionë ushtarakë. 4000 kilometra rrugë përmes 12 itinerareve të përcaktuara. Gjithsej do të lëvizin 37.000 ushtarë të NATO-s nga 19 vende dhe 20.000 pajisje ushtarake – një manovër që zgjat afër 5 muaj. Pas kësaj ushtarët amerikanë do të kthehen në vendlindje.
Nga mesi i shkurtit kjo manovër do të shihet edhe në rrugët gjermane. Bundeswehri dhe ushtria amerikane përpiqen që ta minimizojnë shqetësimin për popullatën. Një pjesë e madhe e transporteve do të kryhet natën nga ora 22:00 deri në 06:00 në mëngjes. “Nëse çdo gjë shkon mirë, nuk do të vërehet”, thotë gjenerali Martin Schelleis, inspektor i trupave të Bundeswehrit. Por partia gjermane “E Majta” ka bërë thirrje për protesta pasi e sheh këtë manovër të madhe si “provokim” kundër Rusisë dhe “mprehje e panevojshme thikash”.
Çfarë ka të bëjë Rusia me këtë manovër?
Vendet balltike dhe Polonia janë vendet e NATO-s që krijojnë krahun lindor të saj në fqinjësi direkte me Rusinë. E është pikërisht Rusia që e bën të nevojshme këtë manovër të madhe, megjithëse ushtria amerikane nuk lodhet së përsërituri, se ajo nuk drejtohet kundër një vendi të caktuar. Origjina e manovrës me emrin “Defender 20” është nga viti 2014, thotë Claudia Major, studiuese për çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes në Fondacionin “Shkenca dhe Politika” (SWP) në Berlin. Ishte ky vit që solli ndryshimin e gjendjes së sigurisë për vendet e NATO-s. Në vitin 2014 në Ukrainë shpërtheu lufta, Rusia aneksoi Krimenë. Sipas Major, “kjo ishte për europianët një zile zgjimi. Rendi i sigurisë që Europa besonte se e kishte me Rusinë nuk funksiononte më. Rusia nuk paraqiste më një partner strategjik. Që do të thoshte, se europianët duhet të shtronin pyetjen: si mbrohemi ne?”
NATO ndryshoi strategji. Filluan të bëheshin verifikime, se cilat vende janë në gjendje të bëjnë lëvizjen e shpejtë të trupave, apo nëse urat janë në gjendje të mbajnë pajisje të rënda si tanket. Përfundimi ishte: ka shumë deficite. Në vendet balltike mungonin rrugët e transportit veri-jug, sepse në kohët sovjetike ishte e rëndësishme vetëm lidhja perëndim-lindje. Edhe gjerësia e ndryshme e shinave e vështirësonte transportin e pajisjeve të rënda. Po ashtu mungonin plane të detajuara të mbrojtjes për vendet lindore europiane dhe trupat në terren nuk viheshin dot shumë shpejt në gatishmëri. “Gatishmëria ishte një nga pikat më të dobta që u zbulua në vitin 2014. Shumica e vendeve të NATO-s e kishin çmësuar këtë”, kujton Claudia Major.
Ajo që pasoi ishin një seri manovrash dhe kompromisi me Rusinë për një “prezencë me rotacion“. Kjo do të thotë, se ka një stacionim trupash në vendet balltike dhe Poloni, por vetëm mbi bazë rotacioni, që të mund të tërhiqen shpejt. “Ishte vullneti i qartë i NATO-s, se duhet të marrim seriozisht detyrimin e mbrojtjes dhe në të njëjtën kohë të mënjanojmë shkallëzimin e situatës me Rusinë”, thotë ekspertja Major.
Çfarë qëllimi ka “Defender 20”
Zhvendosja brenda një kohe të shkurtër e një kontigjenti kaq të madh trupash nga njëra anë e kontinentit tek tjetra është një sfidë logjistike. Me “Defender20” testohen në përmasa shumë më të mëdha trajnimet ushtarake apo “prezenca me rotacion” që është kryer disa herë vitet e fundit. Sipas ekspertes Claudia Major nuk bëhet fjalë vetëm për një skenar në rast konkret të sulmit. “Në thelb të manovrës është kalimi tranzit dhe transporti i trupave. SHBA ushtrojnë sidomos zhvendosjen e trupave. Vende të tjera si Polonia apo Gjermania ushtrojnë kalimin tranzit, përfshirë edhe pranimin e furnizimin e trupave dhe dorëzimin tek vendi tjetër.” Konkretisht për Gjermaninë do të thotë, a ia del Gjermania të presë e furnizojë trupat amerikane në përmasa të tilla? Thelbi i manovrës sipas Major: “A mundet që në rast krize të lëvizin brenda pak ditësh trupat në Europë, kjo është ideja bazë e manovrës.”
*DW