Aktualitet Masat drastike: Mbyllen pub-et, diskot, palestrat dhe mjediset që mbledhin shumë njerëz

Masat drastike: Mbyllen pub-et, diskot, palestrat dhe mjediset që mbledhin shumë njerëz

Kryeministri Edi Rama deklaroi gjatë mbledhjes së qeverisë këtë të martë se do të mbyllen të gjitha lokalet, pub-et, diskot dhe mjediset që mbledhin grumbuj njerëzish për të parandaluar rastet me koronavirus.

“Do t’i mbyllim të gjitha, pub-et, disko, palestra dhe mjedise që mbledhin shumë njerëz. Do t’i mbyllim të gjitha për të vendosur njerëzit të parët. Nuk do të doja të isha kurrë në këtë pozicion, por kjo është gjëja që duhet bërë. Janë kufizuar kontaktet këtu në këtë godinë. Edhe kjo mbledhje sot dhe mbledhje të tjera që do t’i bëjmë kështu janë diçka e rrallë”, tha Rama.

Rama bëri thirrje që të kufizohen lëvizjet në jetën e përditshme.

Situatën ndaj koronavirusit, kreu i qeverisë e konsideron si një gjendje lufte dhe si të tillë duhet të mbrojmë jetën e qytetarëve.

Rama paralajmëroi që nga dita e nesërme do të dërgohen në shtëpi punonjësit e administratës që kanë mundësi të punojnë nga banesa.

“Të kufizojmë lëvizjet që në jetën e përditshme janë të nevojshme, por që nuk janë jetike. Sot është një luftë për të mbrojtur jetën për të mbrojtur jetën e çdokujt rreth nesh. Nuk mund të shkojmë në klub dhe t’ia sjellim koronën gjyshit të sëmurë. Nuk mund të shkojmë në palestër dhe t’i sjellim sëmundjet larg qoftë bashkëshortes shtatzënë.

Nuk është një luftë që do të zgjasë me vite, por është një luftë që çdo minutë do të zgjasë sa një vit. Ne nga dita e nesërme do të çojmë në shtëpi të gjithë atë pjesë të administratës që mund të punojë përmes kompjuterit. Për këtë arsye nga nesër nuk do të japim më shërbime nëpër sportele për të gjitha aplikimet online. Shërbimi i ADISAS-s nga nesër do të mbyllet dhe do të merren online”, tha Rama.