Kulturë Mashtrimi më i shtrenjtë në botë? Vorbull misteresh për pikturën e famshme...

Mashtrimi më i shtrenjtë në botë? Vorbull misteresh për pikturën e famshme të Da Vinçit

Piktura më e shtrenjtë e shitur ndonjëherë në një ankand, vepër e Leonardo da Vinçit, ”Salvador Mundi”, u shit për 450 milionë dollarë nga shtëpia e ankandeve Christie’s në nëntor të vitit 2017, por, që prej asaj kohe, u zhduk nga sytë e publikut.

Një muaj pas ankandit, Departamenti i Kulturës dhe Turizmit në Abu Dabi deklaroi se kishte arritur të merrte pikturën, që ishte planifikuar të vendosej në muzeun e hapur së fundmi të Abu Dabit. Prezantimi i premtuar për në shtatorin e vitit 2018 u anulua minutën e fundit, pa u dhënë detaje, dhe që atëherë gjërat nuk kanë ndryshuar.

As muzeu i Abu Dabit dhe as Departamenti i Kulturës nuk iu përgjigjën pyetjes së DPA-së për vendndodhjen e veprës së artit.

Ekspertët dyshojnë se punimi nuk ka qenë i mjeshtrit të artit, Leonardos. Në vitin 1958, piktura u shit në ankand për 45 stërlina (rreth 58 dollarë sot). Por, megjithatë, ka boshllëqe në historinë e pikturës në vaj, të bërë rreth viteve 1500.

Në një artikull për gazetën ”Die Zeit”, historiani i artit, Frank Zoellner shkroi se “ky është mashtrimi më i shtrenjtë në botë, pasi Leonardo nuk e pikturoi vetë, ai thjesht i dha dizajnin e përgjithshëm dhe rregulloi disa detaje e më pas studentët përdorën idetë e tij”.

Blerja në ankadin e vitit 2017 ishte gjithashtu e mistershme. Mediet arabe dhe perëndimore raportuan se një mik i besuar i princit të kurorës, Mohammed bin Salman, ishte blerësi anonim që e bleu pikturën për llogari të princit.

Thashethemet u shtuan aq shumë sa ambasada saudite në Shtetet e Bashkuara të Amerikës deklaroi se ndërmjetësi kishte qenë princi Badr Al Saud, i cili e bleu pikturën në emër të zyrës kulturore të Abu Dabit.

Që prej asaj kohe të gjitha gjurmët e pikturës janë zhdukur. Në sferën e artit francez, ka fjalë se vepra mund të paraqitet për publikun në Paris në muajin tetor, si pika kulminante e një prezantimi të veçantë të punimeve të Leonardos.

Luvri nuk e ka komentuar ende këtë lajm.