Imzot Angelo Massafra ka uruar besimtarët katolikë e ortodoksë për festën e Pashkëve.
Massafra tha se jetojmë në një kohë të vështirë, por u bëri thirrje besimtarëve të mos inkurajohen.
Në mesazhin e tij, Imzot Massafra shtoi se e ardhmja është edhe në duart e secilit prej nesh.
Të dashur, mos u lodhim në të qenurit tonë misionarë të Ngjallurit, le të themi dhe ia tregojmë të tjerëve fuqinë e emrit të tij që shëron, fal e shpëton.
Imzot Angelo Massafra: “Vëllezër dhe motra, është e vërtetë, jetojmë një moment të vështirë, të gjithë e ndiejnë vështirësinë për të jetuar që, ndonjëherë, i ngjan një lufte për mbijetesë. Le të mos shkurajohemi: të shikojmë gjithçka që kemi bërë në këto vite,të vlerësojmë ecjen që kemi bërë deri tani me shumë sakrifica. Secili prej nesh, sot, të bëjë pjesën e vet. E ardhmja është edhe në duart të secilit, përveç të Zotit.
Për këtë arsye, ju uroj të gjithëve ju, katolikë, ortodoksë e krishterë, që të dini ta mirëpritni kumtimin e Emrit të Jezusit të Ngjallur: Ai na shpëtoftë dhe e liroftë Shqipërinë tonë prej padrejtësive, prej mendjemadhësisë, prej etjes për pushtet dhe zotërim, pasi këto gjëra shkaktojnë urrejtje, hakmarrje dhe vrasje.
Ai na dhaftë guximin e nevojshëm për të fituar mbi çdo formë egoizmi, forcën për t’u angazhuar për të mirën e përbashkët në krijimin e një shoqërie më të drejtë dhe më të vëmendshme ndaj nevojave të më nevojtarëve dhe na dhaftë gëzimin e brendshëm e të thellë për të qenë qytetarë aktivë, të ndershëm dhe guximshëm për rindërtimin shpirtëror, moral, kulturor dhe ekonomik të Atdheut tonë të dashur.
Për shumë vjet Pashkën të gjithëve.”