Bota Mattarella: Mjaft kundër njëri-tjetrit, ka gjëra të tjera para politikës

Mattarella: Mjaft kundër njëri-tjetrit, ka gjëra të tjera para politikës

“Ka diçka që vjen para politikës dhe që shënon kufirin e saj, diçka që nuk është e disponueshme për asnjë shumicë dhe për çdo kundërshtim dhe ky është uniteti morali, ndarja e një fati të vetëm, ndjenja e përgjegjësisë për njëri-tjetrin”, deklaroi presidenti italian, Sergio Mattarella në 74-vjetorin e Ditës Kombëtare të Republikës Italiane.

”Të gjithë jemi thirrur në një angazhim të përbashkët kundër një rreziku shumë serioz që ka prekur Italinë tonë në aspektin e shëndetit, ekonomik dhe social. Vuajtjet e shkaktuara nga sëmundja nuk duhet të na vënë kundër njëri-tjetrit”, shtoi presidenti.

”Kjo ndjenjë e thellë, të cilën unë e ndiej tek bashkëqytetarët tanë, kërkon respekt, seriozitet, ashpërsi, sens dhe lidhje me institucionet. Dhe e kërkon nga ne të gjithë, veçanërisht nga ata që kanë përgjegjësi më të mëdha”, theksoi Matarella.

“Italia, në këtë situatë të jashtëzakonshme, ka treguar anën e saj më të mirë”, theksoi  Mattarella duke shtuar se ndjehet krenar për vendin e tij dhe duke përshëndetur unitetin moral të italianëve përballë virusit, këtij armiku padukshëm.

“Ky frymë uniteti do të jetë motori i rilindjes”, deklaroi presidenti italian, fjala e të cilit u përshëndet nga shumë liderë politikë.

Si simbol i këtij rifillimi “Frecce Tricolori”, patrulla ajrore akrobatike italiane, realizoi sot një fluturim ku lëshoi re tymi me tre ngjyrat flamurit italian.