Aktualitet “Mbeta pa para pas aksidentit të babait”, shqiptari tregon si u shfrytëzua...

“Mbeta pa para pas aksidentit të babait”, shqiptari tregon si u shfrytëzua në Britani

Të shumta janë rastet kur shqiptarët janë shfrytëzuar për të punuar në fabrikat e kanabisit në Britaninë e Madhe. Kësaj here për këtë çështje është ndalur të flasë edhe media prestigjioze CNN, e cila ka trajtuar në një video historinë e një shqiptari.

“Nëse do ta dija se do shkonte kështu, nuk do të isha larguar kurrë nga Shqipëria”, tregon ai. Shqiptari nuk e ka treguar identitetin, për shkak se frikësohet për jetën e tij.

I riu rrëfeu se si ishte bërë viktimë e skllavërisë moderne pas një fatkeqësie në familje. I mbetur pa para sepse të gjitha i kishte dërguar në Shqipëri, ai u detyrua të merrte borxh.

“Para katër vitesh babai im pësoi një aksident dhe më duhej të dërgoja para në shtëpi. Kështu që dërgova çdo gjë që kisha dhe më pas nuk kisha më para. Më prezantuan me një person, të quajtur Salam. Shkova të bisedoja me të dhe më tha që të mund të më jepte borxh disa para, por sigurisht që do të mbante një përqindje, sepse dukshëm në këtë mënyrë punonin ata. Thashë direkt po dhe mora paratë pak nga pak. Po i kthefsha mbrapsht për të, por shumë ngadalë. Erdhi deri në atë pikë sa ai tha “Nuk jam duke bërë paratë e mija në këtë mënyrë, kështu që do ta shes borxhin tënd tek ky person… do të procedosh njësoj si më paguaje mua. Unë do iki, por do paguash këtë person”. Nuk kisha shumë zgjedhje. Nuk mund të thosha jo. Më mori në telefon dhe më tha bëhu gati për javën që vjen, do të vij të të marr dhe do të të dërgoj tek puna e re. Thashë dakord. Ai erdhi. Unë isha gati për punë, me rroba pune. Më mori dhe më dërgoi tek kjo shtëpi. “Rri vetëm këtu dhe kujdesu për shtëpinë”, tha. Pastaj futën bimët brenda dhe unë e dija direkt se çfarë po ndodhte. I thashë që nuk di të kujdesem për këtë punë. Ai tha, “Mos u shqetëso, vetëm rri këtu”, rrëfeu i riu.

Shqiptari ka treguar se nuk mund të debatoje me personin që e dërgoje aty pasi nevrikosej. Atij i lejohej të dilte vetëm një herë në javë dhe është shprehur se nuk kishte kushte për të jetuar.

“Nuk kisha zgjidhje, duhet ta bëja. E vetmja gjë që më mbajti të shkoja në polici ishin vetëm tre muaj, 6000 paund. Nëse kjo nuk ndodhte, pastaj më duhet të shkoja diku, në polici apo kudo qoftë. Do të ishte më mirë në burg se aty brenda. Nuk kishte kushte. Kishin krijuar kushte për bimët, sepse ato ishin të rëndësishme. Unë nuk isha i rëndësishëm. Unë isha atje vetëm që të rritej droga. Nuk më lejohej të dilja. Vetëm një herë në javë që të paguaja faturat dhe të blija ushqim për veten. Nëse kapesh në atë shtëpi shkon në burg. Në mendjen time ishte më mirë të shkoj në burg dhe të deportohem se sa të qëndroj atje sepse edhe shëndeti im po përkeqësohej”, thotë ai.

I riu u zbulua pas tre muajsh gjatë një aksioni të policisë.

“Kur erdhi policia në fillim u frikësova. Nuk isha arrestuar kurrë dhe isha i frikësuar, por ata ishin shumë të mirë. Më qetësuan dhe më treguan se çfarë po ndodhte. Më shpjeguan rreth skllavërisë moderne sepse nuk dija asgjë rreth kësaj”, tha ai.

I riu është në pritje të vendimit pasi ka aplikuar për azil. Ai është i frikësuar për jetën pasi mendon se drejtuesit e bandës ku punoi do ta lëndojnë në Shqipëri.

“Nuk e di se çfarë do ndodhë me mua apo si do mbarojë kjo gjë”, përfundon shqiptari.