Shëndet Mbi 40 vjeç, mosha e të sëmurëve nga koronavirusi në Shqipëri

Mbi 40 vjeç, mosha e të sëmurëve nga koronavirusi në Shqipëri

Mosha e të sëmurëve nga koronavirusi në Shqipëri është mbi 40 vjeç. Ky fakt u bë i njohur nga Instituti i Shëndetit Publik (ISHP), i cili pohoi se rastet e të sëmurëve nga COVID-19 në vendin tonë janë relativisht më të rinj në moshë krahasuar me mesataren e konstatuar në botë.

Në një deklaratë për shtyp, Silvia Bino nga ISHP u shpreh se: “Në përgjithësi, në botë, mosha (mesatare) e cila kërkon kujdes shëndetësor… sepse aty duhet të fokusohemi, është mosha 60 vjeç. Ndërsa mosha (mesatare) e cila kërkon kujdes intensiv, pra që paraqet dhe ndërlikime është mosha rreth 80 vjeç.

Për këto pak raste (33 raste) që ne kemi konstatuar, mosha e (8) personave që kanë kërkuar kujdes shëndetësor është 40 vjeç e lart.”

Deri më sot janë diagnostikuar 33 raste me koronavirus. Nga koronavirusi nuk sëmuren të gjithë. Jo çdo i infektuar paraqet simptoma dhe ndërlikime sa të nevojitet ndihmë mjekësore e specializuar.

Por Bino u shpreh se ka pasur edhe raste sporadike të grupmoshës 20-30 vjeç, gjë që tregon nivel të ulët të ndërgjegjësimit nga qytetarët rreth masave që duhen marrë për parandalimin e prekjes nga koronavirusi.

Deri më tani prej koronavirusit në Shqipëri ka vdekur një e moshuar 73-vjeçare. Rreth 24 persona janë izoluar ndërsa 8 janë shtruar në spital për mjekim të specializuar.

Gjashtë qytete janë prekur nga koronavirusi: Tirana (16 raste); Durrësi (5 raste, 1 viktimë); Fieri (4 raste); Elbasani (2 raste); Rrogozhina (2 raste) dhe Lushnja (1 rast).