Ishujt grekë po revoltohen nga prania e azilantëve, që sipas tyre po krijojnë një klimë frike dhe degradimi të papërballueshme.
Me mijëra banorë të ishujve Lesbos, Samos, dhe Chios u mblodhën të mërkurën në sheshet kryesore, me dyqanet që u mbyllën të gjitha në shenjë proteste për një situatë të rëndë bashkëjetese midis popullsisë lokale dhe refugjatëve që më së shumti vijnë nga zona lufte si Siria dhe Afganistani.
Ishujt në fjalë janë territoret e para që përballen me mjetet lundruese që transportojnë refugjatët, të cilët mbeten në ishujt deri në konfirmimin e azilit, diçka që mund të zgjasë muaj të tërë.
Situata më kritike paraqitet në Lesbos, ku kampi i Morias i ndërtuar për më pak se 3 mijë persona, aktualisht mirëpret më shumë se 19 mijë të tillë, në kushte higjienike ekstreme.
Sipas banorëve dhe kryebashkiakëve, mbipopullimi ka ndikuar edhe në sigurinë e ishujve, pasi janë rritur rastet e vjedhjeve dhe sulmeve seksuale, si dhe përplasjet midis grupeve të ndryshme të azilkërkuesve. Diçka që po tkurr kërkesën turistike për këtu ishuj që më së shumti me turizëm mbahen. Ata kërkojnë që këto persona të transferohen në Greqinë kontinentale, dhe që kampet të mbyllen dhe njësi më të vogla të ndihmës së parë të ndërtohen larg nga qendra e banuar.
Në 2019, 75 mijë persona kanë hyre ilegalisht ne Greqi, 3 mijë vetëm ne ditët e para të vitit 2020.