Kryesore “Më premto, baba”: Historia prekëse e Bo Biden që ra në dashuri...

“Më premto, baba”: Historia prekëse e Bo Biden që ra në dashuri me Kosovën dhe mesazhet për babanë Joe

Joe Biden është mësuar me jetën e vështirë. Por kur flitet për të birin e ndjerë, Bo Biden, atëherë ai nuk përmbahet. Së fundmi, ish-zëvendëspresidenti amerikan, ishte në Universitetin e Montanës, për të folur për librin e tij “Më premto, baba”, të shkruar pas vdekjes së Beau Biden.

Djali i tij ishte një veteran, që ka shërbyer edhe në Kosovë. Ai ndërroi jetë më shumë se tre vjet më parë nga kanceri në tru.

Në çastet e fundit të jetës, u kthye nga babai i tij dhe i dha një mesazh të fortë. “Ai më pa dhe më dha: Babi, nuk ka rëndësi se çfarë ndodh, unë do jem mirë. Më shiko babi, më jep fjalën se do jesh në rregull. Mos u zvarrit në një vrimë babi. Mos u tërhiq”, kujton Biden.

“Shpresoj të jetë krenar për mua”, -thotë Joe Biden. “Arsyeja se përse e shkrova këtë libër nuk ishte që njerëzit të ndiejnë keqardhje për mua, por që njerëzit të mësojnë se duhet gjetur një qëllim për të ecur përpara”.

Dhe Bo Biden i kishte dhënë vetë një arsye babait për të ecur përpara, duke u treguar i fortë në shtratin e vdekjes. Ai u shua në fund të majit 2015.

46-vjeçari Bo Biden ishte kryeprokuror i shtetit Delaware nga viti 2007 deri në vitin 2015. Por përpara se të vinte në këtë detyrë, ai shërbeu për një kohë si këshilltar ligjor në Departamentin e Drejtësisë, të ngritur në Kosovën e pasluftës.

Dhe Kosova e nderoi njeriun që investoi shumë për ngritjen e një drejtësie të re në shtetin e ri. Një vit më vonë, një nga rrugët e rëndësishme në Kosovë mori emrin e të ndjerit Joseph “Beau” Biden.

Rruga që mban këtë emër çon në Bondsteel, në kampin e disa qindra trupave amerikane që vazhdojnë të shërbejnë në kuadër të forcave paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja në Kosovë. Në ceremoninë emocionale ishte vetë nënpresidenti Biden, që kujtoi kohën kur i biri i tij i ndjerë kishte shërbyer në Kosovë si këshilltar ligjor në vitin 2001. Këto kohëra të vështira të kaluara në Irak dhe Kosovë nga Biden, kishin krijuar disi bindjen te babai se përballja me lëndët toksike mund të ketë ndikuar te sëmundja e të birit.

Nënpresidenti Biden tha se kur i biri kishte ardhur në Kosovë kishte rënë në dashuri me këtë vend, ndërsa falënderoi institucionet për vendimin që rruga që çon në kampin Bondsteel të mbajë emrin e të birit, një rrugë të cilën e kishin kaluar së bashku në vitin 2001.

“Mbase më shumti e mbaj mend këtë udhëtim në këtë kodrinë, që u bë monument i KFOR-it dhe përkushtimit amerikan ndaj lirisë dhe pavarësisë së Kosovës”, tha ai, duke nënvizuar se është synimi i familjes së tij që të përmbushë synimet e Bo Biden. “Të dimë se pesë, dhjetë, njëzet, gjashtëdhjetë vjet më pas, nipat, stërnipat e mi, çdo Biden i lindur do të udhëtojë për të parë atë monument të babait, gjyshit, e stërgjyshit, që besonte në Kosovën”, tha ai.

“Unë besoj se ju jo vetëm mundeni por edhe do të ndërtoni një Kosovë të lirë, demokratike e përparimtare që do të përmbushë ëndrrat dhe shpresat e mohuara për një kohë të gjatë”, -tha nënpresidenti Biden.