Aktualitet Me prindër të divorcuar, i rritur nga gjyshi, kush është 21-vjeçari që...

Me prindër të divorcuar, i rritur nga gjyshi, kush është 21-vjeçari që vrau policin në Lezhë

Aldi Rama, 21-vjeçari nga Lezha që vrau me armë zjarri paraditen e të martës efektivin e policisë Saimir Hoxha ka qenë dënuar nga Gjykata e Lezhës me 5 vite burg, por në përfundim është dënuar me 3 vite e 4 muaj burg për prodhim e shitje narkotikësh dhe vjedhje.

Nisur nga koha kur është kryer vepra penale, viti 2018, autorit ka qenë 18 vjeç. I rritur nga gjyshi i tij dhe nisur nga fakti se që prej moshës 12-vjeçare ka qenë me prindër të divorcuar, gjykata ka pezulluar dënimin duke e lënë vetëm në shërbim prove.

Pavarësisht këtij vendimi, atij i është ndërruar masa e sigurisë në arrest shtëpie.

Shkak për arrestimin e të riut në 2018 ka qenë ish e dashura e tij, e cila e kishte kallëzuar në prokurori për vjedhje të celularit, si dhe dhënie të lëndëve narkotike.

Polici Saimir Hoxha u vra me armë zjarri në Ishull Lezhë, ndërsa po patrullonte për kultivim bimësh narkotike.

Bazuar në dëshmitë e 4 kolegëve të viktimës, Saimir Hoxha ka qenë i pari që i është afruar makinës së Aldi Ramës, nën dyshimin se ajo kishte targa të vjedhura. Në të dyshohet se ndodheshin edhe dy persona të tjerë.

Vrasësi, që ndodhej në anën e pasagjerit, e ka qëlluar sapo polici 44-vjeçar i është afruar dhe është larguar me shpejtësi duke mos u lënë kohë të tjerëve të reagojnë. Është e paqartë se përse i riu ndodhej i armatosur në zonë, ndërsa dyshohet se ai mund të ishte i angazhuar në ruajtjen e parcelave të mundshme të kanabisit.

Pas një operacioni që zgjati disa orë, policia ka arritur ta arrestojë 21-vjeçari, i cili është vetëqëlluar me armë. Policia bën me dije se Aldi Rama është në gjendje kritike për jetën.