Bota Media pranë Vuçiçit: Kosova, me armët britanike që shkatërruan qindra tanke ruse...

Media pranë Vuçiçit: Kosova, me armët britanike që shkatërruan qindra tanke ruse në Ukrainë

Mbretëria e Bashkuar ka dorëzuar në Kosovë një sasi më të madhe të sistemeve të lehta raketore antitank “Javelin” dhe “NLAW”, shkruan Veçernje Novosti.

Sipas gazetës beogradase, një veprim i tillë i Londrës nuk do të kalojë pa u vënë re nga Serbia, pasi presidenti serb Aleksandar Vuçiç në 48 orët e ardhshme do të kërkojë shpjegim zyrtar nga kryeministri britanik Boris Johnson.

Këto raketa kanë qenë shtylla kurrizore e pothuajse të gjitha dërgesave të armëve perëndimore në Ukrainë për luftën kundër Rusisë gjatë dy muajve të fundit.

Sipas të njëjtit burim, kontingjenti i parë prej 50 të këtyre sistemeve ka mbërritur dje në Prishtinë.

Dorëzimi është pjesë e një marrëveshjeje të bërë nga Johnson dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti në fund të shkurtit.

Sipas informacioneve të disponueshme, Mbretëria e Bashkuar në muajt e ardhshëm do t’i dorëzojë Kosovës së paku 20 sisteme të lehta antitank “Javelin”.

Sipas Veçernji Novosti, është rënë dakord për trajnimin falas të pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës për përdorimin e këtij arsenali.

Tani për tani, shkruan gazeta, askush nuk mund të konfirmojë se marrëveshja Prishtinë-Londër nuk përmban asgjë tjetër nga armët dhe pajisjet ushtarake.

Raketat britanike janë armët e para serioze që mbërrijnë në Kosovë, por ka njoftime për blerje të dronëve, topave, madje edhe helikopterëve.

Partneri i pamaskuar në këtë biznes në Kosovë është SHBA-ja dhe Britania e Madhe, ndërsa adresat për sigurimin e armëve janë Gjermania dhe Turqia, përfundon gazeta.