Bota Meksika mund të jetë epiqendra e re pandemisë Covid-19

Meksika mund të jetë epiqendra e re pandemisë Covid-19

Në Amerikën Qendrore shumica e vendeve, duke filluar nga Kosta Rika deri në Guatemale, i janë përgjigjur me vendosmëri pandemisë së krijuar nga virusi Covid-19.

Kjo masë shkon për kundër faktit se i gjithë rajoni ka vetëm 3 mijë raste për momentin. Nga ky numër, një e treta e rasteve burojnë vetëm nga Meksika.

Një vend që ka shënuar deri më tani mbi një mijë të infektuar dhe 28 viktima, por që nuk kishte marrë asnjë masë kufizuese për më shumë se 129 milionë banorë deri me 23 mars.

Megjithatë, ekspertët mendojnë se virusi ka një muaj që është përhapur, duke marrë parasysh rastet e para që u shfaqen në Mexico City. Dhe, sipas tyre, shifrat e të prekurve janë kaq të ulëta deri tani, pasi autoritetet nuk kanë bërë shumë teste në popullsi për të zbuluar rastet e prekura. Ata mendojnë se lidhja është e thjeshtë: disa teste, pak pacientë.

Pavarësisht, thirrjeve të vazhdueshme nga OBSH që vendi të marrë masa ndaj pandemisë, Meksika ngjante me një pamje surrealiste, me rrugët plot me njerëz, dyqanet e hapura dhe trafikun kaotik, ndërsa bota nga ana tjetër ishte mbyllur e tëra në karantinë.

“Nëse rastet vazhdojnë të rriten, do të kemi mungesë të pajisjeve mjekësore dhe do të hyjmë në një fazë krize të sistemi shëndetësor. Kapaciteti i spitaleve për të përballuar fluksin është shumë i ulet dhe do asgjësohet komplet nëse nuk do merren në kohë masat e duhura”, tha Dr.Hektor Cadena Mendoza.

Mendoza pretendon se disa masa janë marrë tashmë që në muajin janar, kur filluan të qarkullojnë lajmet e para nga Kina. Sidoqoftë, thotë ai, e vërteta është se autoritetet besuan se virusi nuk do të përhapej në Meksikë.

Ai thekson se vendi nuk po mban qëndrim të njëjtë me atë të Shteteve të Bashkuara dhe Europës, duke nënvlerësuar forcën e rrezikut të virusit.

Ndërsa Europa dhe Shtetet e Bashkuara kishin miratuar masat e ashpra kufizuese, në Meksikë qeveria dhe në veçanti, presidenti Andres Manuel Lopez Obrador i bënte thirrje qytetarëve që të dalin dhe të vazhdojnë jetën e tyre sikur asgjë të mos kishte ndodhur.

Ai u bëri thirrje atyre se duhet të përqafohen, të duan njëri-tjetrin, pasi ekonomia e vendit është e rëndësishme dhe s’mund të ndalet për asnjë patogjen.

Fotografitë dhe videot e publikuara nga mediat, tregojnë presidentin Obrador, 66-vjeç, më 15 mars gjatë një mitingu duke shtrënguar duart me njerëz të ndryshëm dhe duke bërë fotografi me përkrahësit e tij, pa respektuar rregullin më minimal të mbrojtjes dhe distancimit fizik.

Për Presidentin, sistemi shëndetësor meksikan është duke u përballur me kulmin e pandemisë dhe si rrjedhojë ai ka burime të mjaftueshme mjekësore dhe shtretër për çdo situatë, madje edhe më të keqen.

Megjithatë, edhe pse ka shumë hezitime për t’a pranuar një gjë të tillë nga vetë mjekët, sistemi shëndetësor nuk është aspak i gatshëm. Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD) gjithashtu thotë: Meksika ka më pak infermierë dhe njësi të kujdesit intensiv për frymë sesa Italia, Shtetet e Bashkuara dhe Koreja e Jugut. Dhe ka vetëm 2,050 aparatë respiratorë në të gjithë vendin.

Pas një mijë vonesave dhe presioneve të panumërta, qeveria ka hequr dorë përfundimisht nga qëndrimi i mëparshëm, përballë rritjes me 235 përqind  të rasteve të reja me Covid-19 vetëm në një javë, duke shpallur kështu gjendjen e emergjencës, pezulluar të gjitha aktivitetet deri në fund të muajit prill dhe duke iu bërë thirrje qytetarëve që të vetizolohen në banesa.

Tani, duke filluar nga Veracruz deri në Mexico City, përfshirë këtu edhe plazhet e bukura të Cancun-it shumica e meksikanëve janë vetizoluar, por një pjesë e popullsisë, ajo pjesë që jeton me të ardhura tepër të pakta dhe që s’përballon dot jetesën duke qëndruar brenda katër mureve të shtëpisë, vazhdon të dalë për të fituar bukën e përditshme. Të mos shkosh çdo ditë në punë është diçka që jo të gjithë qytetarët mund ta përballojnë në Meksikë, ku të varfrit i frikësohen me keq urisë sesa virusit.

Shumë mjekë meksikanë mendojnë se vendi ka të gjitha gjasat të jetë në një gjendje të njëllojtë me Italinë, pasi ka shumë të pastrehë dhe që punojnë në rrugë dhe të ekspozuar vazhdimisht kundrejt infeksioneve të ndryshme.

Një prej tyre është Francisco Moreno, i cili punon në një klinikë private në Mexico City dhe tashmë ka trajtuar disa raste me koronavirus, ndërsa thekson se javët e ardhshme numri i të prekurve do të rritet edhe më shumë.

Ndërkaq, ka edhe nga ata mjekë si Jose Estevez që mendojnë se vendi do të dijë të përballet me pandeminë dhe pavarësisht vonesës, përsëri nuk është vonë për t’a parandaluar përhapjen e virusit në Meksikë.

Ai thotë se vendi tani është në një fazë në të cilën nëse merren parasysh dhe respektohen të gjitha parametrat dhe protokollet, mund t’a minimizojë dëmin. Sipas tij, në vendet e tjera, mungesa e kohës së mjaftueshme ishte problemi i vërtetë.

Përveç kësaj, Estevez është i bindur se vendi, i cili tashmë është përballur me një tjetër epidemi në 2009, atë të H1N1, do të dijë mjaft mirë si të menaxhojë një emergjencë të re./TPI