Kryesore Merkel refuzon të caktojë një datë për pranimin e Ballkanit në BE....

Merkel refuzon të caktojë një datë për pranimin e Ballkanit në BE. Macron vendos një tjetër kufizim

Kancelarja gjermane Angela Merkel refuzoi thirrjet për të caktuar një datë për pranimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian.

“Unë nuk besoj vërtet në caktimin e datave, besoj në përmbushjen e premtimeve tona. Pasi të plotësohen kushtet, pranimi mund të bëhet”, u tha Merkel gazetarëve pas samitit të BE-së për Ballkanin në Slloveni.

Sllovenia, si vend mikpritës i samitit kishte ofruar vitin 2030 si kohë e caktuar për pranimin e këtyre vendeve, por nuk pati sukses. “Nuk e mbështeta këtë propozim“, tha Merkel. Deri më tani “nga asnjë nga këto vende nuk janë plotësuar kriteret“. Megjithatë Merkel theksoi, se BE ka një “interes të jashtëzakonshëm strategjik” për të pranuar vendet e Ballkanit Perëndimor. Ajo e argumentoi këtë me bashkëpunimin në çështjen e klimës dhe migracionit.

Shumë nga krerët e vendeve të Ballkanit Perëndimor u shprehën të zhgënjyer për ngecjen e procesit të anëtarësimit. Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç tha se jo të gjithë vendet anëtare të BE kanë të njëjtën apetit për sa i përket zgjerimit.

Një nga vendet që ka qenë gjithmonë hezituese ka qenë Franca. Presidenti francez, Emmanuel Macron në Brdo u shpreh me nota pozitive, se vendet e Ballkanit Perëndimor janë në rrugën drejt Bashkimit Europian, dhe duhet t’u tregohet se janë në zemrën e Europës, duke merituar investime, bashkëpunim në tregti, por edhe anëtarësim eventual. “Ne kishim një diskutim të mirë…dëshira jonë është që t’i japim Ballkanit,  i cili ndodhet në zemër të Europës, një perspektivë (europiane) sërish në plan afat shkurtër“, citon agjencia Reuters. “Ne duhet të përgjigjemi”, tha presidenti francez duke theksuar, se kjo do të ndihmojë stabilitetin europian. Por ai shtoi se shtimi i BE me 6 anëtarë të rinj do të kërkonte reforma në procesin e vendimmarrjes në BE që po ecën ngadalë.

Megjithë inkurajimet, presidenti Macron ia doli të vendosë një kufizim të ri. Kështu në deklaratën përfundimtare të samitit, theksohet, se integrimi i vendeve të reja në BE kushtëzohet nga zhvillimi i mëtejshëm i vetë unionit. Me këtë shtojcë qeveria e Parisit mban të hapur bllokimin e zgjerimit të BE me vende të reja, nëse BE në vitet e ardhshme, sipas qëndrimit francez, nuk do të tregohej si shumë e aftë për kompromis, shkruan agjencia gjermane e lajmeve, dpa.

Por jo të gjithë në BE janë hezitues. Kancelari austriak, Sebastian Kurz, u shpreh se “nëse Bashkimi Europian nuk i ofron rajonit një perspektivë të qartë, duhet të jemi të vetëdijshëm, se superfuqi të tjera si Kina, Rusia apo Turqia do të luajnë një rol më të madh aty. Rajoni i përket Europës gjeografikisht dhe i nevojitet një perspektivë europiane“. Kryeministri i Letonisë, Krisjanis Karins tha para reporterëve, se Ballkani është “kopshti ynë i pasëm”.