Bota Merkel viziton zonat e përmbytura, premton ndihma të shpejta

Merkel viziton zonat e përmbytura, premton ndihma të shpejta

Kancelarja gjermane Angela Merkel ka vizituar zonat e përmbytura nga reshjet e fundit. Ajo tha se “gjuha gjermane nuk njeh gati asnjë fjalë për të përshkruar atë që ka ndodhur”

Kancelarja Angela Merkel foli për një situatë jo reale, për një tmerr të paparë deri tani, për një gjendje fantazmë, tepër të rëndë. Gjatë vizitës së rajoneve të prekura nga katastrofa e reshjeve të shiut, në vendin Schuld në Eifel, ajo tha se “gjuha gjermane nuk njeh gati asnjë fjalë për të përshkruar atë që ka ndodhur“.

“Ne e shohim me çfarë force mund të veprojë natyra”, tha Merkel në rajonin Eifel, komuna e Adenau-t. “Ne do t’i bëjmë qëndresë kësaj force të natyrës, në periudhën afatshkurtër, por edhe në atë afatmesme dhe afatgjatë”, shtoi ajo.

Merkel theksoi se nevojitet që politikat “të marrin parasysh natyrën dhe klimën më shumë nga sa kemi bërë në vitet e fundit”.

Më pas ajo së bashku me kryeministren e landit Rheinland-Palate, Malu Dreyer (SPD) vizitoi edhe vendin Adenau, që është një prej vendeve më të prekura nga stuhia, ku Merkel dhe Dreyer premtuan ndihma.

Numri i viktimave në mbarë Gjermaninë ka shkuar ndërkohë në rreth 160 të vdekur. Ndërsa mbi 3000 persona konsiderohen ende si të humbur. Shpresohet se shumë prej tyre do të lajmërohen, sepse tani në shumë vende janë ndërprerë linjat telefonike. Por ekziston edhe frika se ka dhe të tillë që nuk e kanë mbijetuar këtë katastrofë.

Reshja e shirave ndërkohë ka kaluar edhe nëpër vendet jugore të Gjermanisë, në Bavari, dhe ka përfshirë edhe pjesë të Zvicrës dhe Austrisë. Deri tani nuk dihet vlera e dëmeve materiale, por kancelarja Merkel premtoi ndihma të shpejta për të prekurit nga vërshimet.

Më parë zonat e vërshuara i kanë vizituar edhe presidenti Frank-Walter Steinmeier si dhe kandidatët për kancelarë Armin Laschet (CDU), Olaf Scholz (SPD) dhe Annalena Baerbock (partia ekologjiste). Të gjithë ata kanë premtuar ndihma të shpejta.