Kryesore Mesazhet e Uashingtonit: Shqipëria ka qeveri legjitime, opozita të hyjë në zgjedhje

Mesazhet e Uashingtonit: Shqipëria ka qeveri legjitime, opozita të hyjë në zgjedhje

Matthew Palmer

Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Evropën, Matthew Palmer, ka zhvilluar sot një takim me gazetarët, me të cilët ka trajtuar dhe ndarë komentet e tij mbi çështje të ndryshme, që variojnë që nga influenca ruse në rajon në nivelin makro të diskutimit, e deri tek zgjidhja e krizës politike, duke kontekstualizuar edhe vizitën e tij në Shqipëri.

Palmer tha se qeveria është legjitime, ndërsa opozita duhet të marrë pjesë në zgjedhje dhe se ai nuk është në Shqipëri për të sjellë një platformë për të zgjidhur krizën.

Shqipëria ka qeveri legjitime

“Shqipëria ka një qeveri legjitime me të cilën në bashkëpunojmë. Ajo është vend aleat dhe do të ketë suportin tonë. Kam besim se kjo qeveri do të çojë vendin përpara dhe do vazhdojë me zbatimin e reformave si ajo në drejtësi”, tha Palmer.

Opozita të hyjë në zgjedhje

“Nuk jam këtu për të negociuar një platformë me palët. Të gjitha partitë politike duhet të marrin pjesë në zgjedhje dhe duhet të punojnë fort për to dhe procesin politik. Opozita duhet të gjejë një mënyrë për të marrë pjesë në zgjedhje. Inkurajoj të gjitha partitë të marrin pjesë në zgjedhjet e qershorit”, theksoi Palmer.

I pyetur se çfarë duhet të bëjë qeveria që të bindë opozitën që të hyjë në zgjedhje, Palmer e zhvendosi përgjegjësinë tek këta të fundit.

“Kjo është përgjegjësi e opozitës dhe jo e qeverisë. Është detyrë e opozitës të bindë elektoratin që ta votojnë”, tha ai.

“Shqipëria, target i vështirë për Rusinë”

Palmer foli për ndikimin rus në Shqipëri duke treguar ndryshimet mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Ne kërkojmë një bashkëpunim mes vendeve dhe transparencë, ndërsa Rusia kërkon kaos dhe një situatë jo bashkëpunuese. Ne duam të ardhme për vendin”, u shpreh Palmer gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët në kuadër të turit që po zhvillon në Shqipëri.

“Shqipëria është target i vështirë për Rusinë”, shtoi Palmer.

A ndikoi lobimi i PD në mosemërimin e Kathleen Ann Kavalec si ambasadore në Shqipëri?

Sipas zëvendës ndihmës sekretarit amerikan të shtetit, Mattheë Palmer ajo është ende kandidate.

“Senati amerikan nuk është se e ka rrëzuar emërimin e saj”, tha ai.

“Shpresoj të kemi një emër së shpejti”.

“Lobimi është normal ose legjitim përsa kohë është brenda rregullave, transparent dhe i qartë. Është një çështje në hetim dhe nuk mund të jap detaje në lidhje me të”, theksoi Palmer.