Sport Messi-Griezmann dhurojnë spektakël, Barcelona “poker” ndaj Osasunës

Messi-Griezmann dhurojnë spektakël, Barcelona “poker” ndaj Osasunës

Pas nderimit të legjendës Diego Armando Maradona, i cili më herët ka veshur edhe fanellën e Barcelonës, katalanët ia dolën të rikthehet te fitorja në kampionat, këtë herë me goleadë 4-0 ndaj Osasunës, në një ndeshje që e zgjidhën mjaft mirë dhe e bënë më të lehtë sesa ishte në letër.

Sulmuesi danez Braithwaite zhbllokoi shifrat në minutën e 29’, pas një rrëmuje në zonë, ndërsa në të 42-tën ishte francezi Antoine Griezmann që shënoi një gol spektakolar me një silurë të lëshuar nga jashtë zonës.

Në pjesën e dytë Barcelona arriti të shënojë edhe dy herë të tjera, fillimisht me anë të Philippe Coutinhos, i cili u asistua nga Griezmann dhe më pas me anë të Lionel Messit, që shënoi gjithashtu në gol spektakolar.

Kjo ishte fitorja e katërt në 9 ndeshje për Barcelonën, që ngjitet kështu përkohësisht në vendin e 7 me 14 pikë, por është ende larg kreut, që mbahet nga Real Sociedad e Atletico Madrid me nga 23 pikë secila.