Politika Meta: Kush prek votën do ndëshkohet në mënyrë të mrekullueshme e spektakolare

Meta: Kush prek votën do ndëshkohet në mënyrë të mrekullueshme e spektakolare

Presidenti Ilir Meta nga Durrësi u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të denoncojnë krimet zgjedhore. Në një konferencë për mediat nga qyteti bregdetar ka thënë se të gjithë ata që do të bëjnë krime zgjedhore do të ndëshkohen në mënyrë të “mrekullueshme e spektakolare, siç e meriton një armik i Republikës. Kush prek votën, është armik“.

Meta duke iu drejtuar qytetarëve tha se askush nuk duhet të ketë frikë, por të gjithë të denoncojnë çdo paligjshmëri pasi sipas tij zgjedhjet e 25 Prillit janë shumë jetike për qytetarët.

“I ftoj të gjithë qytetarët t’i bashkohen nismës ‘Denonco krimin zgjedhor’, ku çdo qytetar mund dhe duhet të demaskojë çdo veprim që përbën shkelje të së drejtës themelore të votës.

Krimi zgjedhor godet dhe dhunon vullnetin e zgjedhësit, përdhos Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, të drejtat, liritë dhe vlerat universale që mbrohen prej saj ku çdo e drejtë buron pikërisht nga vota e lirë dhe zgjedhjet e lira dhe të ndershme.

Rreziku i intimidimit të votuesit, shitblerjes së votës është prezent. Duhet të bëhemi barrikadë për këto veprime të papranueshme në një vend demokratik“, tha Meta.