Kryesore Meta: Nuk kemi më arsye t’i besojmë çdo politikani, përfshirë edhe mua

Meta: Nuk kemi më arsye t’i besojmë çdo politikani, përfshirë edhe mua

Presidenti Ilir Meta tha se Kushtetuta e Shqipërisë duhet të ndryshojë për të mos lejuar më Parlamentin të ndryshojë atë, pa miratimin popullor përmes një referendumi.

“Asgjë e mirë, e sigurt, afatgjatë, europiane, nuk do të ndodhë në Shqipëri, pa u miratuar ligji për referendum. Dhe pa u bërë një ndryshim në Kushtetutë që Kushtetuta nuk mund të ndryshohet kurrsesi as nga 140 deputetë të ligjshëm, por çdo ndryshim duhet bërë me referendum. Nuk besoj se pas 22 vitesh kemi më arsye t’i besojmë çdo politikani, përfshirë edhe presidentin aktual”, tha Meta, i pranishëm në një tryezë të organizuar nga shoqëria civile, të quajtur “Nisma kombëtare për Referendum”.

“Vetë Kushtetuta jonë u miratua me referendum nga populli”, shtoi Meta. “Precedenti i parë ishte ai i vitit 2008, i cili i dha goditje në zemër sistemit parlamentar dhe kjo na çoi nga demokracia parlamentare në demokracinë e kryetarëve. Kjo është arsyeja pse dje 97 copë deputetë refuzuan apelin e BE dhe votuan bllokimin e çeljes së negociatave jo deri më 25 prill, se është e padiskutueshme, por deri në zgjedhjet e tjera pas atyre të 25 prillit”.