Kryesore Meta nxjerr foton para Komisionit: E tepërt të ma kërkoni të kthehem...

Meta nxjerr foton para Komisionit: E tepërt të ma kërkoni të kthehem në atë kohë

Në një moment, gjatë fjalës së tij në komisionin e drejtuar nga Ulsi Manja, presidenti Ilir Meta ka nxjerrë para të pranishmëve një foto të vjetër, të 30 viteve më parë.

Në këtë foto shfaqeshin studentët e dhjetorit, që i kërkonin Ramiz Alisë mbajtjen e zgjedhjeve të lira.

Në këtë foto shfaqej dhe vetë Meta, i cili tha se e ndjente veten me fat që ishte pjesë e kësaj ngjarje historike.

“Janë dy President të Republikës që kanë vepruar në mënyrë të tillë për të çtensionuar situatë dhe për të garantuar pjesëmarrjen e opozitës në zgjedhje. Ka dhe deputetë me eksperiencë që mund t’ua shpjegojnë. Precedentin e parë e ka bërë Ramiz Alia në vitin 1991, ku i dha mundësi opozitës së sapo krijuar dhe që i jepte mundësi të merrte pjesë në zgjedhjet për rrëzimin e tij.

Ne i kërkuam Ramiz Alisë pluralizimin politik, por ai e pranoi dhe me dekretin e shtyrjes së zgjedhjeve, tregoi se të gjithë duhet të viheshim në shërbim të pluralizmit demokrat njëherë e përgjithshmen.

Kjo është e tepërt, përveç argumentave ligjor dhe konventave, që t’i kërkosh një ish-studenti të dhjetorit që të krijosh precedent të ri, të heshtë pas 30 vjetësh, të heshtë dhe  të kthehet në votime me një kandidat si njëherë e një kohë”, tha presidenti pasi nxori foton në fjalë.