Kryesore Meta rrëzon emërimin e Gjinushit në krye të Akademisë së Shkencave

Meta rrëzon emërimin e Gjinushit në krye të Akademisë së Shkencave

Presidenti Ilir Meta ka dekretuar refuzimin e emërimit të akademikut Skënder Gjinushi si kryetar i Akademisë së Shkencave.

Në arsyet e marrjes së këtij vendimi, Presidenti shkruan se kur janë zhvilluar zgjedhjet për Kryetar në Akademinë e Shkencave të Republikës së Shqipërisë, Skënder Gjinushi, ligjërisht figuron Kryetar i Partisë Socialdemokrate.

“Në këtë mënyrë rezulton që në datën 10.05.2019, kur është bërë shprehja e interesit për kandidim dhe në datën 24 maj 2019, ditë kur janë zhvilluar zgjedhjet për Kryetar në Akademinë e Shkencave të Republikës së Shqipërisë, zoti Skënder Gjinushi, ligjërisht figuron Kryetar i Partisë Socialdemokrate.

Kjo pozitë juridike krijon papajtueshmëri të ushtrimit të statusit si anëtar i rregullt i Akademisë së Shkencave, çka përbën shkak ligjor ndalues për të kandiduar dhe për t’u zgjedhur Kryetar i Akademisë së Shkencave.

Në këto kushte, referuar nenit 57, pika 7 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, si dhe parashikimet e neneve 3, 6 paragrafi 6,  nenit 6/1, pika 1 germa “c”, 11 të ligjit nr.9655, datë 11.12.2006 “Për Akademinë e Shkencave të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, rezulton se procesi zgjedhor i zhvilluar në datën 24.05.2019 në Akademinë e Shkencave, për zgjedhjen e Kryetarit të Akademisë së Shkencave, paraqet problematikë të theksuar ligjore. Kjo gjendje paligjshmërie e bën të pamundur që Presidenti i Republikës të ushtrojë kompetencën e tij të parashikuar në nenin 92/g të Kushtetutës, për të emëruar Kryetarin e Akademisë së Shkencave”, thuhet në arsyet e refuzimit të emërimit të Gjinushit.