Kryesore Meta zbulon prapaskenat: Si m’u përgjërua Basha që të anuloja protestën dhe...

Meta zbulon prapaskenat: Si m’u përgjërua Basha që të anuloja protestën dhe zgjedhjet vendore

Presidenti Ilir Meta ka zbuluar prapaskenat e bisedave me kryedemokratin Lulzim Basha për zgjedhjet vendore 2019, kohë në të cilën anuloi dekretin e datës së zgjedhjeve 30 Qershor.

Sipas Metës, Basha i kërkoi që të anulonte protestës që vetë kreu i PD-së kishte thirrur më 8 Qershor dhe të anulonte zgjedhjet e 30 Qershorit.

“Sa më shumë afrohej data 30 Qershor aq më tepër rritej tensioni midis forcave politike në vend. Dukej qartë se palët politike me gjuhën e urrejtjes provokonin njëra-tjetrën. Kjo situatë u shoqëruar me shumë protesta masive, ku dhjetëra e qindra protestues, por edhe pjesëtarë të forcave të rendit u plagosën e u dëmtuan. Në Qershor opozita mbajti protestën e shtatë të saj ku në fund paralajmëroi mbajtjen e një proteste masive finale në Tiranë në datën 8 Qershor 2019.

Në ditët që i paraprinë kësaj proteste të paralajmëruar, Presidenti administroi edhe informacion të klasifikuar se gjatë kësaj proteste do përdorej dhunë e pakontrolluar ndaj institucioneve kryesore të vendit. Presidenti në datat 6-8 Qershor ndodhej jashtë vendit për një vizitë zyrtare në Gjermani. Në të njëjtën periudhë erdhi edhe Lulzim Basha në Gjermani. Ju lut presidentit edhe në prezencë të personave të tjerë duke ju përgjëruar me lot në sy që Presidenti të anulonte protestën në 8 Qershor dhe kështu të shtynte edhe zgjedhjet. Sipas Bashës, protesta që kishte organizuar do të degradonte në dhunë dhe se ai nuk e kontrollonte dot popullin opozitar dhe e dinte që ai do të ishte përgjegjësi kryesor.

I trembur, Lulzim Basha iu ul në gjunjë Presidentit duke iu lutur që të anulonte dhe të shtynte patjetër zgjedhjet e 30 Qershorit 2019 përpara mitingut. Këtë Presidenti, sipas Lulzim Bashës, duhet ta bënte direkt nga Gjermania. Presidenti sapo mbërriti në Shqipëri u njoh me situatën dhe pas vlerësimit të rrethanave pak minuta përpara fillimit të protestës, nëpërmjet një deklarate zyrtare bëri publik vendimin e tij për të shfuqizuar dekretin duke anuluar datën 30 Qershor 2019 si ditën e zhvillimit të zgjedhjeve vendore”, u shpreh Presidenti Meta në një konferencë për shtyp.

Por edhe pas anulimit të dekretit për datën 30 Qershor dhe shpalljes së datës së re 13 Tetor për zgjedhjet vendore 2019, Presidenti Meta zbuloi gjithashtu se as në këtë datë Partia Demokratike nuk kishte bërë kërkesë për t’u regjistruar në KQZ.

“Pas anulimit të 30 Qershorit bëra përpjekje në mënyrë që të caktonim një datë të re ku të merrnin pjesë të gjitha forcat politike. Presidenti më pas miratoi dekretin për përcaktimin e zgjedhjeve më 13 Tetor. Pas dekretimit veprimi më minimal që duhet të kryente Lulzim Basha ishte të paraqiste në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kërkesën për regjistrimin e zgjedhjeve të 13 Tetorit. Por çfarë ndodhi realisht? Rezulton zyrtarisht nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve se Lulzim Basha dhe Partia Demokratike nuk kanë bërë asnjë kërkesë zyrtare pranë KQZ për t’u regjistruar si subjekt konkurrues”, tha Ilir Meta.