Extra Microsoft në Japoni jep tre ditë pushim në fundjavë dhe sheh një...

Microsoft në Japoni jep tre ditë pushim në fundjavë dhe sheh një rritje me 40% të produktivitetit

Një numër i vogël kompanish janë duke adoptuar një program, i cili detyron njerëzit të punojnë vetëm në 4 ditë të javës. Tashmë rezultatet kanë ardhur edhe nga një eksperiment i testuar nga Microsoft në degën e saj në Japoni, e cila vërteton se programi mund të funksionojë edhe për bizneset e mëdha.

Kompania prezantoi një program këtë verë në Japoni të quajtur “Sfida e zgjedhjes midis Punës dhe Jetës”, e cila mbyllte zyrat çdo të premte në gusht dhe iu jepte punonjësve një ditë shtesë pushimi.

Rezultatet ishin premtuese: Teksa koha e punës u reduktua ndjeshëm, produktiviteti – i matur në shitje për punonjës – u rrit me rreth 40% krahasuar me të njëjtën periudhë në vitin e mëparshëm, tha kompania në një njoftim zyrtar.

Menaxherët përveç uljes së orëve të punës kërkuan nga punonjësit edhe të ndërprisnin kohën e shpenzuar në mbledhje dhe përgjigje të email-eve.

Ata sugjeruan se takimet nuk duhet të zgjasin më shumë se 30 minuta. Punonjësit ishin gjithashtu të inkurajuar të ndërprisnin mbledhjet e zhvilluara së bashku në ‘video-chat’ duke përdorur një aplikacion mesazhesh si zëvendësues.

Efektet e këtyre masave ishin mjaft pozitive. Më shumë se 90% e 2,280 punonjësve të Microsoft në Japoni thanë më vonë se u ndikuan nga masat e reja.

Zyrat e Microsoft në Japoni

Duke e mbyllur një ditë më herët aktivitetin, kompania gjithashtu bëri të mundur të kursente edhe në resurse të tjera, si elektriciteti.

Në Japoni orët e gjata të punës kanë qenë një problem që ka ndikuar tek shëndeti i mijëra punonjësve, me rastin më ekstrem të shënuar vitin e kaluar, ku në ditën e Krishtlindjeve, një punonjës i kompanisë së reklamave “Dentsu” vrau veten. Shkaku u përfol se ishin orët e tejzgjatura të punës.

Kjo i ka dërguar bizneset që të kërkojnë për zgjidhje të reja në adresimin e këtij problemi. Disa kompani kanë filluar t’i ofrojnë punonjësve më shumë fleksibilitet. Microsoft nga ana e saj është shprehur se do zhvillojë eksperimente të reja për të përmirësuar balancën jetë-punë.