Sport Milan rikthehet te fitorja. Real Madrid nuk i ndahet Atletico-s

Milan rikthehet te fitorja. Real Madrid nuk i ndahet Atletico-s

Milan ka fituar me rezultatin e pastër 2-0 ndeshjen e radhës përballë Benevento-s duke lënë pas dy humbjet ndaj Lazio dhe Sassuolo-s.

Calhanoglu dhe Theo Hernandez i dhanë kuqezinjve 3 pikë të rëndësishme për garën e ashpër se kush do të sigurojë një vend në Champions League për sezonin e ardhshëm.

Humbja ishte e rëndë dhe për Benevento pasi tashmë rrezikon seriozisht të bjerë nga kategoria duke u renditur në vend të 16 me 31 pikë, po aq sa Cagliari dhe Torino që kanë ende për të luajtur respektivisht 1 dhe 2 ndeshje.

Real Madrid nuk i ndahet Atletico-s

Duket se do të qëndrojë e hapur deri në fund gara për titullin kampion në La Liga të Spanjës.

Real Madrid fitoi me rezultatin 2-0 ndeshjen përballë Osasunës, për të qëndruar në gjurmët e Atleticos, e cila kishte fituar më herët në përballjen me Elche.

Ndeshja u zgjidh vetëm në fraksionin e dytë të saj me Realin që gjeti dy herë rrugën e rrjetës me Militao dhe Casemiro në minutën e 76 dhe 80.

Tashmë pas 34 javësh kampionat Atletico Madrid renditet në vend të parë më 76 pikë e ndjekur nga Real Madrid me 74 dhe Barcelona me 71, e cila ka dhe një ndeshje për të luajtur.